Kur Nelson Mandela u lirua nga burgu në shkurt të vitit 1990, dhjetëra ekipe gazetarësh e kamera televizive nga e gjithë bota, shkuan në Afrikën e Jugut dhe kapërcyen nëpër rrugët e pluhurosura jashtë shtëpisë së tij. Unë isha në mesin e tyre. Kishim të njëjtin qëllim: ta bënim Mandelan të na jepte një pikëvështrim mbi 27 vjetët e tij të burgut dhe të na rrëfente planet e tij për të ardhmen.
Më në fund erdhi radha ime në fund të një dite të nxehtë, pasi që ai ishte ulur me orë të tëra në kostum e kravatë, gjithmonë i përgatitur, me gjithë faktin që nuk kishte pasur asnjë eksperiencë para kamerës kur kishte shkuar në burg më 1962.
Nisa të provoj ta hap një derë që asnjëri prej gazetarëve nuk mundi: duke i rrëfyer sesi unë identifikohesha me luftën kundër aparteidit, kisha kaluar vitet e rinisë në Amerikën e Jugut para momenteve të lëvizjeve të të drejtave civile, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Para se të mund ta përfundoja fjalinë, sytë e Mandelas u ndriçuan më shumë se që i kisha parë gjithë atë pasdite, dhe për herë të parë dhe për të vetmen herë atë ditë, ai e dha një pikë të vogël për jetën në burg.
“Oh”, tha ai, “a e njihni zonjushën Maya Angelou?” Unë pohova me kokë. “Ne i lexuam të gjitha librat e saj sa ishim në burg”, tha ai.
Kjo qe e gjitha për Mandelan dhe cilindo të burgosur tjetër politik që na dha mua apo gazetarëve të tjerë. Kur udhëtova herën tjetër në Afrikën e Jugut, për “PBS News Hour”, në majin e vitit 1994, pak para se Mandela të betohej si president, u interesova për të intervistuar disa nga ish-të burgosurit. “E dini, ata djem të vjetër flasin për ato vite, vetëm mes vete”, më tha njëri prej miqve të tyre.
Por në fund, Mandela kishte folur për ato vite, në detaje, në autobiografinë e tij “Long Walk to Freedom” (1994) (Rruga e gjatë drejt lirisë), një libër ky që miqtë e tij nga burgu Walter Sisulu dhe Ahmed Kathrada e bindën ta shkruante, me ndihmën e tyre, sa ishin ende në burg, dhe libër që nuk i lë shumë vend imagjinatës.