Ngritja e madhe e Ballkanit

Prishtinë | 20 Qer 2020 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Ekipi i futbollit nga Suhareka, Ballkani, e ka vlerësuar si arritje jashtëzakonisht të madhe kualifikimin në finalen e Kupës së Kosovës në futboll. Për këtë arritje, te Ballkani kishin një arsye të fortë për të festuar.

Kjo, për shkak se kualifikimi në finale të Kupës së Kosovës është e arritura më e madhe në historinë 73-vjeçare të skuadrës suharekase. Por, synimet e Ballkanit janë edhe më të mëdha se kaq. Në fakt, synimi i klubit nga Suhareka këtë edicion është trofeu i kupës dhe titulli i kampionit të Kosovës, shkruan KOHA.

Në finalen të Kupës, Ballkani do të përballet me Prishtinën, ekip me të cilin do të luftojë edhe për titullin e kampionit. Por, aty janë edhe Drita e Gjilani, skuadra gjithashtu favorite për titullin e më të mirit për këtë edicion. Pavarësisht konkurrencës së fortë, trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi beson fuqishëm se Ballkani do të jetë pretendenti kryesor për të dy trofetë.

“Skuadrën nuk e kam marrë në gjendje të mirë dhe klubi ka pasur shumë probleme të natyrës organizative, pastaj të transferimit të futbollistëve dhe mbajtjes së përgjegjësive. Presidenti ka krijuar të gjitha kushtet për klubin, por njerëzit në klub dhe vetë klubi Ballkani nuk kanë pasur përvojën e duhur në Superligë. Suhareka është qytet fantastik, me njerëz shumë të kulturuar dhe me respekt të madh”, ka thënë Munishi.

Në fakt, Ballkani në 20 vjetët e pasluftës ka qenë edhe njëherë në Superligë – 2010/2011. Por, në mungesë të organizimit dhe ekipit, ra menjëherë nga elita e futbollit kosovar. Madje, nuk kishte as stadium të vetin, derisa ndeshjet i zhvillonte në Rahovec e Prizren. Ngritjen në Superligë e arriti në vitin 2018 në krye me kryetarin Arsim Kabashi, i udhëhequr nga trajneri Bekim Shotani dhe lojtarët kryesorë: Visar Berisha, Liridon Kukaj, Berat Hyseni, Qëndrim Sejdiu, Durim Gashi, Armend Rugji, Ramadan Kryeziu e Leotrim Gashi. Portieri Rugji, që ka qenë një prej lojtarëve të fillimeve të ngritjes së Ballkanit, kishte pasur besim se do të formohej një ekip konkurrent për titull dhe kupë.

“Kur unë jam transferuar te Ballkani flitej se do të menaxhohej nga një donator shumë i fortë. Kishim premtime se do të na qëndronte prapa për gjithçka që kemi nevojë. Në sezonin e parë në Ligën e Parë, ne arritëm të përfundojmë të dytët dhe për shumë njerëz ishte befasi. Dhe, pas ardhjes së kryetarit Kabashi dhe privatizimit të klubit, u krijua një organizim me gjitha kushtet. Krijuam edhe një ekip të fortë dhe u futëm në Superligë. Në Superligë në sezonin e parë arritëm ta sigurojmë mbijetesën falë presidentit Arsim Kabashi që ishte korrekt me ne”, ka thënë Rugji.

Se ishte një fillim i ngritjes së klubit, dëshmon edhe organizimi i këtij edicioni. Ballkani është një prej klubeve më stabile, si në aspektin organizativ, ashtu edhe atë financiar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme