Inicimi disiplinor i FFK-së ndaj Ballkanit vlerësohet i gabueshëm

Prishtinë | 27 Pri 2021 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Akuzave publike dhe shumë të rënda të Ballkanit, Federata e Futbollit e Kosovës nuk u është përgjigjur me nisje të ndonjë hetimi të brendshëm apo me hetim ndaj ndonjë klubi a individi. Përkundrazi, FFK-ja përmes Komisionit të saj të Garave ka bërë inicim disiplinor ndaj Ballkanit.

Ballkani, aktualisht, është lider në Superligën e Kosovës në futboll. Në ditën kur doli i pari në tabelë, të dielën, doli me akuza të rënda. Sipas Ballkanit, “disa klube, disa mbetje politike dhe FFK-ja janë të përfshirë në një maskaradë”. Madje, Ballkani ka akuzuar direkt FFK-në se “në mënyrë mjeshtërore kryen punën e saj duke vendosur cili klub do të bëhet kampion, cili do ta fitojë Kupën dhe cili do të mbetet pa asgjë”.

FFK-ja të dielën e të hënën nuk u përgjigj ndaj akuzave të klubit lider. Të hënën mbrëma bëri inicimin disiplinor nëpërmjet Komisionit të Garave të Superligës dhe Ligës së Parë, që drejtohet nga Abdyl Bellopoja.

“Motivi: Në deklaratën publike ofendon dhe akuzon organet e FFK-së dhe klubet për kalkulime (manipulime) në ecurinë e ndeshjeve kampionale dhe për Kupë”, thuhet në vendimin e Komisionit të Garave.

Vendimi i FFK-së, përkatësisht Komisionit të Garave, shihet si tendencë e Federatës për “t’ua mbyllur gojën klubeve”, kur ato janë të pakënaqura apo kanë dyshime në rregullsinë e garës.

“Federata e Futbollit e Kosovës apo Komisioni i Garave në kuadër të FFK-së, nuk duhet të ngutet me veprim disiplinor ndaj Ballkanit. FFK-ja duhet t’i marrë me shqetësim pretendimet e Ballkanit dhe të mos veprojë me inercion, që mund të duket në publik si një shtypje e qëllimshme apo si një gjest hakmarrjeje ndaj Ballkanit”, ka shkruar trajneri Agron Selmani, që ka drejtuar disa skuadra të vendit.

“Disiplinimi i individëve dhe klubeve në këtë formë, nuk do të ketë efekt. Përkundrazi, do të krijohet një opinion se pretendimet e theksuara për implikimin e FFK-së në këto makinacione, të duken të vërteta. FFK-ja duhet të ndërtojë rrugë motivuese të komunikimit me klub, që për çdo dyshim, i cili dëmton imazhin e klubeve, imazhin e lojës së futbollit apo të vetë FFK-së, ta kenë adresë të sigurt shtëpinë e futbollit, FFK-në”, ka vazhduar Selmani.

Bekim Shotani ka thënë se FFK-ja ka gabuar me procedurën e hapur ndaj Ballkanit.

“Assesi FFK-ja nuk ka të drejtë të ndalë një paramendim që ka një apo më shumë klube. Ballkani nuk ka thënë asgjë më pak apo më shumë se ajo që po flitet e po analizohet në debate sportive. Ballkani është duke u penalizuar qe dy vjet me dalje në Evropë. Tani është e kuptueshme që FFK-ja nuk është duke i funksionalizuar Komisionin Disiplinor dhe atë të Garave. Kjo mund të vërtetohet edhe me dështime tjera që po ndodhin”, ka theksuar Shotani. Trajneri vushtrrias, po ashtu, ka drejtuar shumë skuadra në vend.

Me një reagim të martën ka dalë Ballkani, pas vendimit të Komisionit të Garave të FFK-së. Sipas reagimit, Ballkani vetëm ka kërkuar sensibilizim dhe drejtësi për atë që po ndodh në futbollin e vendit. Ballkani i Suharekës insiston se në letrën publike vetëm ka treguar realitetin. Klubi suharekas vlerëson se është dëmtuar direkt, ndërsa këmbëngul për kurdisjet e rezultateve.

“Shtrohet pyetja, cili është misioni i FFK-së, sjellja e rendit dhe mbarëvajtjes së futbollit apo ndëshkimi i atyre që qesin në dritë ndodhitë e këtij institucioni dhe disa klubeve që janë të afërta me të. Nëse FFK-ja këtë e ka bërë për të na zmbrapsur apo për të na frikësuar që të heqim dorë nga e drejta dhe sensibilizimi, u themi se janë duke gabuar. Misioni i tyre nuk është ky. Jo matematika, por futboll të vërtetë”, thuhet në reagimin e Ballkanit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme