Banorët e lagjeve përreth Spitalit të Pejës prej që është ndërtuar ngrohtorja e tij, para dhjetë vjetësh, janë përballur me ajrin e ndotur nga tymi që si lëndë djegëse ka përdorur mazutin.
Kjo ndotje ka vazhduar ndonëse, ekspertët e angazhuar nga spitali kishin konstatuar se emetimet nga tymtari janë në suaza të parametrave të normales, pasi tymtari i ka filtrat e nevojshëm sipas standardeve të kërkuara, shkruan sot “Koha Ditore”.
Megjithatë, ankesat e shpeshta të banorëve kanë qenë të vazhdueshme, për shkak se ndotja nuk ishte eliminuar. Për të eliminuar komplet ndotjen, e vetmja alternativë kishte mbetur ndërrimi i sistemit të ngrohjes, të cilën spitali me buxhetin e saj nuk kishte mundur vetë ta bënte. Sivjet ky problem më në fund do t’u hiqet banorëve dhe vetë spitalit me ndërrimin e sistemit të djegies me projektin që ka nisur të realizohet në këtë spital për efiqinecë të energjisë.
Është një projekt që po realizohet nga Agjencia e Kosovës për Energji efiçiente, që është në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Ky projekt po realizohet me kredi të marrë nga Qeveria nga Banka Botërore.