Komuna e Vushtrrisë ka nisur të martën punimet për asfaltimin e rrugës “Avni Saraçi”, projekt në vlerë prej 250 mijë eurosh, raporton Ekonomia Online.
Kryetari Ferit Idrizi ka thënë se asfaltimi i kësaj rruge është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi që ajo do të lidhet me rrugën Drenica dhe me pjesën e rrugës që e lidh Mitrovicën.
Tutje, ai ka bërë të ditur se rruga e re do të jetë me gjerësi 7 metra, e cila do të posedojë edhe shtegun për biçikleta dhe trotuar për këmbësor.
“Jemi në vazhdën e finalizimit të projekteve pas finalizimit të asfaltimit të rrugës Druar-Pestov që inauguruam para disa ditës dhe jemi në prag të finalizimit edhe të rrugës Drenica. Sot jemi duke asfaltuar dhe finalizuar rrugën Avni Saraçi, që është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm, një arteri që lidhet me rrugën Drenica edhe me këtë pjesën e rrugës që e lidh Mitrovicën”.
“Vlera e projektit është 250 mijë euro, është një rrugë që plotëson të gjitha standardet, e ka gjerësinë e rrugës 7 metra, ka shtegun për biçikleta dhe ka trotuarin për këmbësor. Besoj që kjo shumë shpejt do të lidhet edhe me shëtitoren që kemi filluar që ta ndërtojmë në mes të Urës së Gurit dhe banesës sportive”, ka thënë ai.
Idrizi ka folur edhe për projektet e tjera që janë duke u finalizuar në këtë komunë.
“Kjo është një prej shumë projekteve që jemi duke i realizuar të infrastrukturës në qytetin e Vushtrrisë, jemi duke realizuar edhe rregullimin e sheshit ku kanë përfunduar parkingjet nëntokësore, amfiteatri edhe ai do të jetë i gatshëm qysh në fillim të vitit të ardhshëm. Mandej e kemi tregun e gjelbër të qytetit i cili po ashtu është në realizim e sipër, është rruga Bekim Berisha, është rruga Lumni Surdulli dhe është edhe shkolla fillore Mustaf Venhari që është një projekt shumë i rëndësishëm për nxënësit e këtij qyteti”, ka thënë ai.