Nis “Chopin Piano Fest” – Szunyog: Është bërë pjesë e pandashme e Ditës së Evropës në Kosovë

Prishtinë | 09 Maj 2023 | 21:47 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, hapi sonte koncertin “Chopin Piano Fest”, i cili përkon me Ditën e Evropës, raporton Ekonomia Online.

Në një fjalë para nisjes së koncertit, ambasadori Szunyog, tha se sot Evropa feston dhe promovon vlerat e përbashkëta dhe u shpreh i lumtur që Zyra e BE-së e ka mbështetur këtë festival.

“Festivali është bërë pjesë e pandashme e Ditës së Evropës në Kosovë”, ka theksuar Szunyog.

“Sot Evropa feston paqen dhe unitetin. Ne vlerësojmë vlerat tona të përbashkëta dhe bashkojmë kulturat brenda dhe më gjerë. Jam i lumtur për mundësinë që i është dhënë Zyrës së BE-së për të bashkëpunuar me ‘Chopin Piano Fest, për të dytin vit radhazi në këtë ditë të rëndësishme për të gjithë ne”.

“Gjithashtu do të shtoja se ne e zhvendosëm festimin dhe pritjen për Ditën e Evropës, sepse e kuptojmë se nuk mund të konkurrojmë me ‘Chopin Piano Fest’. Jam i lumtur që të jemi sot këtë së bashku me ambasadorin Italian që ta hapim këtë festival dhe ta shijojmë atë”, u shpreh Szunyog.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, tha se “Chopin Piano Fest” është një nga ngjarjet më ikonike kulturore në Kosovë, e cila sipas tij ka mundësuar që të angazhojë gjeneratën e re në muzikën klasike.

Profesoresha Lejla Pula, e cila është njëra nga organizatoret e këtij festivali tashmë tradicional, tha se synimi është që të shpalosin dhe prezantojnë vlerat kulmore artistike muzikore të botës në skenën e Prishtinës.

“Së bashku kemi ardhur në edicionin e 13-të, jemi të gëzuar që jeni këtu me ne. Këtë vit kemi më shumë per të festuar e për të shënuar. Synimi dhe misioni ynë kryesor mbetet shpalosja dhe prezantimi i vlerës kulmore artistike muzikore të botës në skenën tonë të Prishtinës”, tha ajo.

Në natën e sotme performuan pianisti i famshëm italian, Epifanio Comis, dhe Adra Strings.

Ndërsa për një muaj, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare, do të vijnë kryeveprat botërore të muzikës klasike, nga artistë nga Italia, Turqia, Hungaria, Suedia, Polonia, Britania e Madhe, SHBA-ja, nga vendi dhe rajoni.

Edicioni i 13-të organizohet në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadën e Italisë në Kosovë dhe Shtëpinë e Evropës.

Koncertet do të zgjasin deri më 9 qershor dhe do të jepen falas për publikun.

Të ngjashme