Nis dhënia e shpërblimeve për nxënësit fitues të garave në arsim

Prishtinë | 24 Sht 2019 | 12:12 | Nga Ekonomia Online

Për herë të parë në Kosovë, në zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për implementimin e Programit Nacional për Rininë, në mënyrë institucionale janë organizuar gara për të gjithë nxënësit pa dallim.

Të gjithë nxënësit fitues të garave kanë fituar shpërblime dhe nga sot ka filluar edhe dhënia e tyre duke filluar me shpërndarjen e certifikatave nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht nga Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport me dedikim të veçantë për nxënësin nga shkrimtari Ismail Kadare.

Certifikatat për nxënësit fitues nga dita e sotme do të shpërndahen nëpër secilën Drejtori Komunale të Arsimit, të cilat pastaj në bashkëpunim me drejtorët e shkollave të komunës përkatëse do të bëjnë shpërndarjen deri te nxënësit fitues.

Përveç certifikatave, varësisht nga niveli i garës, nxënësit fitues do të marrin edhe shpërblime tjera të cilat janë në proces të realizimit. Të gjithë nxënësit fitues të nivelit shkollor të Diturisë klasa e I-rë dhe e II-të do të pajisen me nga një set librash pasi që gara për ta mbaron në këtë nivel për shkak të natyrës së garës e cila e ka ruajtur karakterin thelbësor të lojës në formësimin e saj.

Të gjithë fituesit e nivelit komunal të garës në KKMK dhe Dituri do të pajisen me nga një set librash në vlerë prej 50 eurosh, të cilat do të jenë të mbështjella me paketim të veçantë. Ndërsa, fituesit e nivelit republikan të garës përveç certifikatave, do të shpërblehen edhe me bursa dhe kampe kreative të cilat do të mbahen së shpejti.

Nga gara e përgjithshme në nivelin shkollor, komunal dhe republikan të Garës Nacionale në Dituri si dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik prej 316 mijë nxënësve me të drejtë pjesëmarrjeje, janë shpallur 44,723 fitues nga 29 komuna. Në nivelin shkollor në të dyja garat janë gjithsej 40,624 fitues. Në nivel komunal vetëm në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik kemi 2078 fitues. Ndërsa, për garën e Diturisë kemi gjithsej 1467 fitues. Në nivelin republikan të Garës Nacionale të Diturisë kemi gjithsej 262 fitues ndërsa, në KKMK kemi 292 nxënës fitues.

Programi Nacional për Rininë është program i përhershëm që synon të plotësojë boshllëkun e aktiviteteve jashtë dhe brenda kurrikulare si dhe është plotësim i nenit 47 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për të drejtën e nxënësve në arsim, rrjedhimisht për mundësinë që duhet ta ketë çdo nxënës në aktivitete të tilla. ​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme