Ka nisur gjykimi ndaj ish Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafës, 28 zyrtarëve të kësaj Komune dhe 10 pronarëve të operatorëve ekonomik. Gjatë shqyrtimit fillestar të së mërkurës, të pandehurit pritet të deklarohen rreth fajësisë apo pafajësisë për veprat me të cilat ngarkohen.
Megjithatë, për shkak të numrit të madh të palëve në procedurë, ky gjykim nuk është duke u mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë, por në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës. Të pranishëm në këtë shqyrtim janë të gjithë të pandehurit dhe mbrojtësit e disa prej tyre, si dhe prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Agron Bajrami. Ndërkaq, gjykatësi i rastit është Sylë Lokaj.
Ndryshe, PSRK-ja me 16 shtator 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj 39 të pandehurve për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.
Sipas aktakuzës zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare. Ndërsa të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomik, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit, pranë asaj komune.
Sipas provave, të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish kryetari i asaj komune, ka koordinuar me veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomik (bizneset) e cekura në aktakuzë.(Betimi për Drejtësi)