Me masa të shtuara të sigurisë, Zoran Vukotiq, u soll në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në objektin e Gjykatës në veri.
Vukotiq akuzohet për krime lufte mes 2 dhe 3 majit të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë.
Pas leximit të aktakuzës, ai është pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Arnout Louter, rreth akuzave për tri pikat e aktakuzës.
I veshur me xhinse dhe fanelë të kaltër të errët, me flokë të qethur, Vukotiq ka deklaruar se ndihet i pafajshëm në të gjitha akuzat e prokurorisë.
Pas përfundimit të seancës e cila nuk zgjati më shumë se një orë, Vukotiq u largua nga selia e gjykatës me pranga në duar dhe nën përcjellje të shtuar të policisë.
Avokati i tij, Nebojsha Vllajiq, tha për gazetarët se do të parashtrojë kundërshtimet e tij ndaj aktakuzës në 30 ditët e ardhshme.
“Sot është lexuar aktakuza dhe i akuzuari është deklaruar se e ka kuptuar aktakuzën dhe se nuk është fajtor. Gjykimi do të vazhdojë në afatin e caktuar brenda të cilit mbrojtja mund t’i parashtrojë kundërshtimet e veta kundër aktakuzës dhe këtë gjithsesi do ta bëjmë në 30 ditët e ardhshme”, tha Vllajiq.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon Vukotiqin për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare gjatë vitit 1999.
Në bazë të aktakuzës së lexuar nga prokurori i EULEX- it, Paul Flynn, Zoran Vukotiq ka marrë pjesë në një sulm ndaj popullatës civile shqiptare midis fshatrave Studime e Epërme dhe Studime e Poshtme të Vushtrrisë, ku civilët shqiptarë iu nënshtruan qëllimisht vrasjeve brutale e të paligjshme, trajtimit çnjerëzor si dhe vuajtjeve të mëdha.
14 viktimat e identifikuara të këtij rasti janë Enver Rustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, Ekrem Mullaku, Xhavit Mullaku, Fatmir Gërxhaliu, Eshref Rashica, Adnan Bunjaku, Adem, Haki Ademi, Shaip Gërxhaliu, Musa Gërxhaliu dhe një 14 vjeçar tjetër i paidentifikuar.
Aktakuza më tej përshkruan paraburgimin e kundërligjshëm të një numri të madh të popullatës civile shqiptare në ish-fabrikën bujqësore në Vushtrri. Në këtë objekt, të burgosurit u ishin nënshtruar qëllimisht trajtimit çnjerëzor dhe shkeljeve të integritetit trupor e shëndetit.
Ndërkaq, pika e tretë e aktakuzës ngarkon të akuzuarin se në cilësinë e tij si oficer rezervë i policisë në Stacionin e Policisë në Vushtrri, duke vepruar si roje e burgut, me përgjegjësi personale dhe duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave të ndryshme serbe, mori pjesë në ndalimin e paligjshëm të një numri të madh të popullatës civile shqiptare në burgun e Smerkovnicës, ku shumë civilë iu nënshtruan qëllimisht trajtimit çnjerëzor dhe aplikimit të madh të masave të frikësimit dhe terrorit.
Zoran Vukotiq ishte ekstraduar nga Mali i Zi në Kosovë në nëntor të vitit 2016.