Në Gjakovë kanë filluar punimet për ndërtimin e Qendrës së re Kryesore të Mjekësisë Familjare, projekt ky i bashkëfinancuar në vlerën prej 802 000 eurove, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Gjakovës.
Në vënien e gurthemelit të kësaj qendre mori pjesë ish-kryetarja e Gjakovës, së bashku me nënkryetarin e kësaj komune, Armend Vokshin, si dhe drejtorin për Shëndetësi dhe Mirëqenie sociale në Gjakovë, Basri Komoni.
“Fillimi i këtij projekti ka nisur që nga viti 2014, kur projekti është prezantuar në konferencën e donatorëve, andaj kjo ditë edhe është e veçantë pasi që po fillon të realizohet një objekt i cili do përmirësojë shërbimet e kujdesit të mjekësisë primare në Komunën e Gjakovës, ka thënë ish-kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, tashmë deputete në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkaq, drejtori Komoni, tha se objekti i ri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare do të sjellë shërbime më të mira për pacientët.
Projekti për ndërtimin e këtij institucioni shëndetësor financohet nga Ministria e Shëndetësisë, si rezultat i marrëveshjes që është arritur me Kuvendin Komunal të Gjakovës. Prezentë në fillimin e punimeve, ishin edhe përfaqësues nga Klubi Rotarian Ndërkombëtar, të cilët sipas Kusari-Lilës janë treguar të gatshëm të ndihmojnë me furnizim të kësaj qendre me mjete të nevojshme.