Komisioni i posaçëm parlamentar kundër disinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demoraktike të vendit nisi sot nga puna.
Anëtarët e opozitës nuk morën pjesë në këtë mbledhje të parë, duke e cilësuar si një nismë të njëanshme të shumicës socialiste.
Ndërsa drejtuesi i komisionit ftoi opozitën, ekspertë amerikanë, europianë, shoqërinë civile, institucionet dhe mediat vendase, që të japin ndihmesën e tyre.
Komisioni i posaçëm parlamentar synon të koordinojë dhe të mbikëqyrë gjithë veprimet institucionale për të luftuar disinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të Shqipërisë.
Në mbledhjen e parë morën pjesë deputetët socialistë, ndërsa karriget e opozitës përballë ishin bosh.
Komisioni ftoi ekspertë nga gjithë institucionet kryesore të vendit, nga SHBA-të, BE-ja dhe NATO-ja, ftoi opozitën, shoqërinë civile, akademikët dhe mediat, të japin ndihmesë bazuar në përvojat më të mira amerikane dhe europiane.
Kryetari i këtij komisioni, Erjon Braçe, kujtoi se tetorin e kaluar SHBA-të dhe Shqipëria arritën një marrëveshje mbi përgjigjen kundër manipulimeve të informacionit ndaj shteteve të huaja, e ndërkohë Parlamenti Europian miratoi shkurtin e kaluar një rezolutë mbi akuzat për ndërhyrjet në proceset demokratike të BE-së.
“Ky komision nuk ka për qëllim të përndjekë as individë as organizata. Ky komision ka për qëllim të njohë, të mbledhë të dhëna, të analizojë gjetjet mbi to, të organizojë një masë kritike shoqërore dhe institucionesh publike dhe private, për t’iu përgjigjur në mënyrë të organizuar një lufte të organizuar të shteteve jomike dhe qëllimeve të tyre malinje të shtuara, veçanërisht prej luftës në Ukrainë, edhe ndaj Shqipërisë”, tha zoti Braçe.
Por opozita nuk duket e interesuar për këtë komision, të cilin e cilëson si nismë e njëanshme e socialistëve.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha për mediat që nëse shumica socialiste ka vërtet vullnet për të bashkëpunuar me opozitën, atëherë duhet ta nisë nga reforma zgjedhore.
“Ne nuk kemi ndonjë kontakt as me zotin Braçe as me ndonjë tjetër nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste në raport me këtë çështje. Kjo është një iniciativ e njënashme e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, dhe si çdo iniciativë e njëanshme, pa rakorduar, pa diskutuar me grupin parlamentar të Partisë Demokratike, do të duhet të çohet përpara po si iniciativë e njëanshme. Nëse kanë vullnet për të luftuar dukuritë negative, le ta nisim nga dukuria e korruptimit të zgjedhjeve. Nëse sot një përparësi Kuvendi, ajo është reforma zgjedhore”, tha zoti Bardhi.
Debatet në qarqet politike të Tiranës për një komision kundër disinformimit nisën tre muaj më parë, kur socialistët paraqitën kërkesën në Kuvend me synimin për të identifikuar ndërhyrjen e huaj, për transparencë në proceset demokratike, në financimet e fushatave zgjedhore dhe platformave të informimit publik, për të bërë ndryshime ligjore dhe masa administrative.
Por opozita atëherë si edhe sot kishte shprehur dyshime se socialistët e kishin ndërmarrë këtë hap me komisionin për interesa ditore të politikës, apo se përmes tij mund të bëhej trysni ndaj mediave, Zeri.