Gjatë ditës së sotme dhe dy ditëve të ardhshme në Shkup do të zhvillohet takimi vjetor mbi ndjekjen e proceseve gjyqësore të organizuar nga Zyra e OSBE-së për Instituicone Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR) dhe Misionit të OSBE-së në Shkup.
Organizatorët e këtij takimi vjetor theksuan se ndjekja e procedurave gjyqësore është një nga aktivitetet më të rëndësishme të OSBE-së në rajon, sepse sipas tyre, proceset gjyqësore sigurojnë sundimin e ligjit në një shtet.
Shefja e Misionit të OSBE-së në Maqedoni, Nina Suomalainen, theksoi se Misioni i OSBE-së në Shkup është shumë aktiv në këtë fushë, ndërsa sipas saj, përmes aktiviteteve të OSBE-së lehtësohet mbështetja e transparencës dhe zbatimi i ligjit dhe gjykimit të drejtë në procedurat penale nga ana e institucioneve shtetërore.
“Gjatë vitit të kaluar, Misioni i OSBE-së ka vëzhguar rreth 100 procese gjyqësore të nivelit të lartë, ndërsa koalicioni ‘Të gjiithë për gjykime të drejta’ që është partner i yni në këtë fushë, ka vëzhguar mbi 450 procese gjyqësore”, u shpreh Suomalainen.
Suomalainen shtoi se qëllimi i aktiviteteve të OSBE-së në këtë fushë është që të ndiqet procesi nga aspekti procedural dhe jo nga aspekti thelbësor, pas së cilës, siç tha ajo, sigurohet vëzhgimi i Ligjit të Procedurës Penale dhe parimi i drejtësisë së gjykimit.
Në këtë takim vjetor të OSBE-së, juristë nga shtatë misione të OSBE-së dhe përfaqësues të 29 organizatave joqeveritare të rajonit të OSBE-së do të shkëmbejnë përvoja dhe do të diskutojnë mbi sfidat lidhur me ndjekjen e lëndëve gjyqësore me profilizim të lartë, si dhe lëndë në të cilat janë involvuar target grupe siç janë minorenet dhe pakicat etnike.