Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka marrë pjesë në fillimin e punimeve të rrugës së fshatit Akrashticë-Balinc, projekt ky që kap vlerën e rreth 1 milion eurove, raporton Ekonomia Online.
Kryetari Idrizi, ka thënë se ky projekt është bashkëfinancim ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës, si dhe komunës së Vushtrrisë.
Ai e ka quajtur këtë projekt si shumë të rëndësishëm, i cili do të ketë, sipas tij ndikim të madh te banorët dhe bizneset që jetojnë në këtë fshat.
Idrizi tha se projekti në fjalë do të nxisë banoret e kësaj ane që të merren me biznese.
“Jam shumë i lumtur që sot takohemi në këtë ngjarje që është shumë e rëndësishme që do të shënoj një kthesë në ndërtimin e infrastrukturës për këto lokalitet. Lokalitete të cilat më gëzon fakti që janë të banuar me popullatë, ku qytetarët punojnë dhe organizojnë biznese në këtë vend”, tha Idrizi.
Pikërisht, duke pasur parasysh popullatën që jeton këtu dhe që kjo rrugë ka qenë e dëmtuar, ai tha se i kanë dhënë prioritet. “Ky është një projekt që do të bashkë financohet me ministrinë e Infrastrukturës. Gjatësia e rrugës është përmbi 4 kilometra, ndërkaq rruga do të ketë edhe trotuarin dhe do të zgjerohet. Vlera e projektit është 937 mijë e 996 euro. Kjo rrugë definitivisht do të përmirësoj infrastrukturën në këto fshatra, në këto lokalitete”, ka thënë ai.
Drejtori për Shërbime Publike në këtë komunë, Benjamin Shala, ka falënderuar kryetarin Idrizi që është duke i përkrahur projektet, siç tha ai në ndihmë të qytetarëve.
“Sot jam shumë i lumtur që gjendemi këtu për të shpalosur këtë projekt të riasfaltimit të rrugës kryesore. Dua ta falënderoj kryetarin për mbështetje të vazhdueshme jo vetëm të këtij projekti, por të projekteve në vazhdimësi që kemi pasur si fshat”, ka thënë ai.