Janë nisur për në Hagë, sot rreth mesditës, tre të arrestuarit nga Gjykata Speciale.
Gjykata Speciale të enjten ka arrestuar ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe vëllain e Fahri dhe Bahri Fazliut, Fadilin.
“Në Kosovën e lirë duke i çu në Hagë, në gjykim, duke i përshëndet pa i takuar, shtyllat e lirisë së Kosovës”, ka shkruar Valon Murati, ish-bashkëluftëtar e bashkëpartiak i Fazliut.
“Ballëlartë Fadil Fazliu siç ishe përherë!”, ka shkruar Murati, në Facebook, ku ka postuar dhe një video nga momenti kur veturat e EULEX-it dalin nga baza e këtij misioni në Zonën Industriale në Fushë-Kosovë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në një njoftim për media, ka thënë se në vazhdimësi po kryen operacione në Kosovë që ndërlidhen me procesin hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.