Komiteti për Hetimin e Aksidenteve Ajrore dhe Incidenteve Serioze (KHAAIS) ka nisur hetim pasi një avion i vogël sportiv u rrëzua dje në Liqenin e Mavrovës. Kryetari i Komitetit, Marjan Prposki, në një deklaratë për MIA tha se ekuipazhi i avionit nuk ndodhet në rrezik për jetën. Ai shtoi se Komiteti ka marrë njoftim për rrëzimin e avionit sportiv të tipit Piper 28 rreth dje rreth orës 12:30, pas së cilës ekipet kanë dalë menjëherë në terren dhe kanë filluar hetimet.
“Avioni është në pronësi private dhe ka targa regjistrimi amerikane. Ekuipazhi nuk është në rrezik për jetën,” deklaroi Prposki, duke paralajmëruar se më shumë informacione nga hetimi do të publikohen në ditët në vijim.
Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë njoftoi se dy persona janë dërguar në spitalin e Gostivarit për shkak të lëndimeve të marra gjatë rrëzimit të avionit sportiv në Liqenin e Mavrovës.
“Sipas raportimit, nga avioni në tokë kanë arritur të dalin dy shtetas të Kosovës, J.P. (41) dhe D.M. (64), i cili drejtonte mjetin fluturues. Ata kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar në spitalin e Gostivarit për trajtim mjekësor,” deklaroi zëdhënësi i SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Në bisedë me zyrtarët policorë, D.M. ka deklaruar se për shkak të një problemi me motorin është detyruar të ulet në liqen.