Nisin hetimet ndaj policëve që neglizhuan rastin e dhunimit të 12-vjeçarit nga Fushë-Kosova

Prishtinë | 18 Kor 2019 | 17:29 | Nga Ekonomia Online

Një 12-vjeçar i komunitetit rom u gjet i vdekur para një jave në Fushë Kosovë.

Ai dyshohet se u dhunua e më pas u vra brutalisht nga i dyshuari 20-vjeçar që u arrestua më pas nga Policia e Kosovës, shkruan lajmi.net.

Institucioni i Policisë në këtë rast u akuzua për neglizhencë, pasi që sipas familjarëve ata e kishin paraqitur në polici edhe më herët personin që dyshohet se e kreu krimin.

Lidhur me këto pretendime, tashmë Inspektorati Policor i Kosovës veç se ka nisur hetimet.

Në një përgjigje për lajmi.net, nga IPK kanë bërë të ditur se kanë nisur me grumbullimin e provave dhe informacioneve lidhur me këtë rast.

Nga Inspektorati Policor thonë se varësisht nga të gjeturat, IPK do të ndërmarrë veprime bazuar në mandatin e saj.

“Inspektorati Policor i Kosovës me të pranuar informacionin lidhur me rastin e vdekjes së dyshimtë të të miturit nga Fushë Kosova, menjëherë ka filluar grumbullimin, shqyrtimin dhe verifikimin e informacioneve lidhur me këtë rast. Varësisht nga të gjeturat IPK do të ndërmarrë veprime bazuar në mandatin e saj”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Megjithatë, nga Policia e Kosovës kanë mohuar të ketë pasur neglizhencë në trajtimin e rastit.

Në një konferencë për media, nga ky institucion është thënë se viktima është dërguar në strehimore, mirëpo se i njëjti ka ikur nga aty.

Të ngjashme