Nisin përplasjet Meta-Rama për ministrin e Brendshëm të Shqipërisë

Prishtinë | 05 Nën 2018 | 15:13 | Nga Ekonomia Online

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim të gjatë me Ilir Metën në Presidencë.

“Me kërkesë të tij, kryeministri u takua me presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e gjeneral Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës”, thuhet nga burime zyrtare të Kryeministrisë.

Për shumëkënd që lexoi këtë deklaratë u duk se gjakrat mes Ramës dhe Metës pas mosdekretimit të këtij të fundit të emrit të Sandër Lleshit ishin ulur.

Ky qëndrim vinte një ditë pas mesazhit që Rama u kishte derguar njerëzve të vet se ata nuk duhet të bënin asnjë koment ndaj Ilir Metës. Por ndryshe nga 24 orë më parë, ai që bëri më shumë koment sot ndaj Ilir Metës në mbledhjen me deputetët ishte vetë Edi Rama. Ai u tha deputetëve se ishte shkelur Kushtetuta nga Meta dhe nesër do të mësohej në Kuvend se cila do të ishte lëvizja e radhës e kryeministrit sa kohë që gjykata kushtetuese nuk ka.

Pas përcjelljes së lajmeve me burime, Presidenca nuk vonoi në reagimin e saj me zë.

Zëdhënësi i presidentit të Republikës, Tedi Blushi, i pyetur nga mediat lidhur me takimin e djeshëm ‘Rama-Meta’, thekson se:

‘Informacioni i dhënë nga Kryeministria lidhur me takimin ka qenë ezaurues.

Presidenti Meta konfirmon përkushtimin e tij maksimal në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet.

Por njëkohësisht, presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit të institucionit që përfaqëson si kryetar i Shtetit, komandant i përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes.

Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me sekretar të parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë’.

Ajo qe mbetet për t’u diskutuar është se çfarë e ka pezmatuar Ramën aq shumë në takimin me Metën, biseda mes tyre, apo ndonjë përgjigje jo e mirëpritur 24 orë më pas.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme