Ende pa përfunduar ditët e shprehjes së ngushëllimeve, të martën Qeveria e Kosovës e ka marrë vendimin që ta nderojë në disa mënyra shkrimtarin e njeriun që gjatë gjithë jetës së tij kërkoi liri për shqiptarët, Adem Demaçin.
Në mbledhjen e së martës, Qeveria e Kosovës ka formuar Komisionin për vendosjen e shtatores së Adem Demaçit në sheshin që do ta marrë emrin e tij në kryeqytet, emërtimin e autostradës Prishtinë-Pejë dhe propozimin për të emërtuar Parkun e qytetit sipas veprimtarit të njohur, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas vendimit, Komisioni do të përbëhet nga përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Infrastrukturës, asaj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Kulturës, të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale dhe një përfaqësues i Komunës së Prishtinës.
Siç ka njoftuar Qeveria e Kosovës, Komisioni ka për obligim që të fillojë procedurat për shpalljen e konkursit, përzgjedhjen, rregullimin e hapësirës në lokacionin sheshi “Adem Demaçi”, si dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të punëve deri në vendosjen e shtatores.
“Komisioni ka për obligim që të fillojë procedurat e emërtimit të autostradës Prishtinë-Pejë, autostrada ‘Adem Demaçi’. Komisioni ka për obligim që të përgatisë propozimin për emërtimin e Parkut të Qytetit, ‘Adem Demaçi’, dhe procedimin e të njëjtit në Komunën e Prishtinës”, shkruhet në njoftim..