Shala: Nuk mund të quhet një shesh “Adem Jashari” nëse nuk ka shtatore të tij në të

Prishtinë | 22 Mar 2018 | 16:59 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Prishtinës ka mbajtur mbledhjen e tretë të Kuvendit Komunal. Si pikë e rendit të ditës u propozua edhe diskutim rreth punimeve në sheshin “Adem Jashari”, i cili gjendet ndërmjet objektit të komunës dhe Kuvendit të Kosovës.

Asamblisti i PDK-së, Migjen Shala, tha se një shesh nuk mund të quhet “Adem Jashari” nëse nuk është shtatorja e tij në të. Ai madje tha se ky shesh është tejet i vogël për të pasur një emër kaq të madh.

“Ky shesh e ka marrë emrin nga kjo Asamble në vitin 2005. Ky shesh është i vogël që të quhet ‘Adem Jashari’. Kanë filluar tash punimet, unë nuk e di qysh mund të quhet ky shesh ‘Adem Jashari’ ku mban monumentin Vëllazërim Bashkim. Ky shesh nuk mundet të quhet ‘Adem Jashari’”.

“Asnjë shesh nuk mundet mu qujt ‘Adem Jashari’ pa pasur shtatore. Ose le të hiqet emri ‘Adem Jashari’, ose të hiqet ai monument nga betoni.  E vetmja është Prishtina që nuk ka shtatore të ‘Adem Jasharit’.  Nëse nuk kemi zgjidhje për këtë shesh ne mund ta gjejmë një hapësirë tjetër edhe  ta quajmë ‘Adem Jashari’. Shtatore të Adem Jasharit nuk lejojnë ushtarët e UÇK-së me vendos në këtë shesh”, tha ai.

Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, tha se obliesku i “Vëllazerim Bashkimit” që përfaqëson një histori tjetër dhe emri i Adem Jasharit nuk duhet të jenë në të njejtin vend.

“Unë jam i mendimit që ndoshta do të ishte mirë të mendojmë që ta heqim emrin e Adem Jasharit nga ai shesh. Ai mund të ketë emrin e heroit por vetëm nëse bëhet një obilesk ende më i madh se ai që është aty. Përndryshe emri i Adem Jasharit dhe ai obilesk nuk mund të jenë në të njëjtin vend”, tha ai.

Drejtor i Kulturës në këtë komunë, Yll Rugova, deklaroi se nuk është shumë problematike të qendroj emri i heroit Adem Jashari.

“Ky monument është monumenti i lirisë për ta përkujtuar luftën kundër nazizmit në Evropë. Emri i sheshit ka ndryshuar në ‘Adem Jashari’ por vazhdon të mbetet monumenti i lirisë. Unë mendoj që nuk është problematike të mbetet monumenti i lirisë dhe emri i Adem Jasharit”.

Egzon Azemi, asamblist nga Vetëvendosje, tha se do të duhej të ndërtohet shtatorja e Adem Jasharit pikërisht në këtë shesh.

“Unë besoj që është mirë pikërisht këtu të ndërtohet shtatorja e Adem jasharit, është vend me rëndësi të veçantë. Është e udhës që kjo shtatore të vendoset pikërisht te ky shesh. E rendësishme është që të mos neglizhohet ky shesh dhe sa më shpejt të përfundohet shtatorja”.

Ardian Berisha nga Grupi i Pavarur duke iu drejtuar grupit të asamblistëve të PDK-së tha se po tregojnë patriotizëm përderisa nuk lejohen të hyjnë as në odën e Adem Jasharit.

“Është patetike me mendu që jemi kundër Adem Jasharit. Gjithashtu është shumë patetike që pikërisht partinë e juaj nuk e lënë as me hy në odën e këtij heroi.”

Të ngjashme