Komuna e Gjakovës ka filluar sot punimet e disa rrugëve në këtë komunë, ku totali i vlerës së investimeve kap shumën deri 300 mijë euro.
Për të përcjellë fillimin e punimeve ishte edhe kryetari i Komunës, Ardian Gjini.
Punimet kanë filluar edhe në rrugën ndërmjet parkut qendror të qytetit dhe rrugës së gjimnazit “Hajdar Dushi”, që sipas kryetarit të kësaj komune, Ardian Gjini, do të jetë një rrugë me standardet më të mira.
“Do të implementohet me standardet më të mira të mundshme, do të jetë një rrugë e gjerë me trotuare, me shtigje të biçikletave, me gjelbërim anash. Në të njëjtën kohë do të jetë rruga e cila e rrethon parkun për shkak se punimet në fakt veç kanë filluar. Duhet me i heq dilemat për të gjithë qytetarët e kam thënë në fushatë, e kam thënë pas fushatës, po e them edhe tash parku ka me qenë parku me karakterin më unik në Kosovë, ka me e pas numrin më të madh të drurëve dhe llojllojshmërinë më të madhe të tyre në Kosovë. Nuk ka me ndërtua kurrgjë kurrkush në park, ka me qenë vetëm park”, tha ai.
Gjithashtu, punimet kanë filluar edhe në rrugët “Petro Nini Luarasi”, e që buxhetit të kësaj komune do t’i kushtojë rreth 85 mijë euro.
“Ky është aksi i parë i rrugës “Petro Nini Laurasi” dhe që është diku 85 mijë euro vlera e projektit. E lidh këtë pjesë të qytetit me ngrohtoren e re dhe del në tranzitin e ri ose në pjesën tjetër qarkore që ja nis vitin tjetër. Aksi i dytë do të vazhdojë menjëherë pas kryerjes së këtij aksi dhe ai ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shkak se kur nis pjesa e qarkores që është dalje për Prizren do të rrënohet ura e vjetër te rreth-rrotullimi më dalje për Prizren dhe kjo do të jetë një pjesë ku do të qarkullohet derisa të ndërtohet ura e re që zgjat diku gjashtë muaj”, tha Gjini.
Aksi rrugor do të përfundojë brenda 60 ditëve. Me rrugë do të bëhen edhe banorët e fshatit Novosellë e Epërme, përkundër asaj që punimet në këtë rrugë kanë filluar në vitin 2013.
I pari i Gjakovës Ardian Gjini, tha se ky projekt ka vlerën prej 88 mijë eurove.
“Jemi në fshatin Novosellë e Epërme ku ka filluar ndërtimi i 800 metrave rrugë të cilat kanë filluar në vitin 2013, por nuk janë vazhduar. Ka një vlerë prej 88 mijë eurove, pas kësaj brenda dy jave do të vazhdojnë me një pjesë tjetër të rrugës që e lidh fshatin Novosellë me pjesë të komunës së Deçanit. Është një rrugë që i lidh dy komunat, por që lidh edhe disa fshatra të komunës së Gjakovës”, tha ai.
Me rrugë të re do të bëhen edhe banorët e fshatit Doblibarë, e që sipas Gjinit investimet nuk do të ndalen.