Subjekti opozitar Nisma Socialdemokrate dega në Shtërpcë, ka akuzuar Komunën dhe kryetarin e saj, Bratislav Nikoliq, për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të parasë publike derisa ka blerë pajisje për Spitalin Rajonal, i cili ende nuk është funksional.
Gjithashtu, ky subjekt ka akuzuar komunën për punësime mbi baza partiake e familjare nëpërmjet sektorit të arsimit dhe shëndetësisë, andaj në Spitalin Rajonal është punësuar një shef për parkun e automjeteve derisa spitali nuk është funksional, shkruan sot “Koha Ditore”.
Vetëm në sektorin e arsimit komuna në fund të vitit të kaluar ka shpallur disa vende të lira pa i përfillur kriteret dhe ligjet në fuqi. Gjetjet e tilla në shëndetësi dhe arsim tashmë i ka publikuar edhe auditori i përgjithshëm për vitin 2017. Rifat Rustemi, këshilltar në KK të Shtërpcës nga radhët e subjektit Nisma Socialdemokrate, ka thënë se kritika të tilla ndaj kryetarit të komunës ka ngritur edhe në seancën e fundit, mirëpo nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Sipas tij, kryetari Nikoliç, prej më shumë se gjashtë muajsh nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të KK-së gjë që është e rëndësishme pjesëmarrja e tij. “Komuna e Shtërpcës vazhdon me keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e mjeteve financiare të taksapaguesve, duke autorizuar blerje për investime kapitale për kundër rekomandimeve të Auditorit që të mos autorizohen blerje përderisa Spitali ende nuk është funksionale”, ka thënë Rrustemi.