NISMA: Kosovës i duhet një ndryshim i madh

Prishtinë | 25 Tet 2016 | 11:42 | Nga

NISMA për Kosovën, ka filluar të zhvilloi takime pune me kryesitë e degëve të saj, sipas rajoneve. Nën organizimin e Sekretarisë Organizative, kryesitë e degëve të NISMA për Kosovën në Prizren, Suharekë, Rahovec, Dragash dhe Malishevë, kanë zhvilluar një takim pune në Malishevë.

Në njoftimin për medie thuhet se të pranishëm në këtë takim, të parin të këtij niveli ishin, kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA-s, Jakup Kransiqi, kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, sekretari i përgjithshëm Bilall Sherifi, kryetari i degës në Malishevë, njëherit kryetar i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, anëtarë të kryesisë, deputetë, etj.

Mësohet se në këtë takim drejtuesit e NISMA-s, folën për rëndësinë e takimeve të tilla, ku thanë se qëllimi i këtij takimi është njohja sa më e mirë mes degëve, shkëmbimi i praktikave të punës, vendosja e lidhjeve të komunikimit mes degëve, për një organizim më të mirë në funksion të zhvillimit të politikave socialdemokrate të NISMA për Kosovën.

Në këtë takim, po ashtu është folur edhe për situatën e rëndë ekonomike në vend, gjithashtu edhe për problemet që po mbizotërojnë në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe problemeve tjera sociale që po prekin direkt jetën e qytetarëve.

Drejtuesit e NISMA-s, kanë kërkuar një angazhim sa më të madh të strukturave në rajonin e Prizrenit, për të arritur ndryshimin e madh që i duhet vendit, dhe këtë duke filluar me qytetin e Prizrenit, sepse zemra e NISMA-s për Kosovën, është pikërisht Prizreni.

NISMA për Kosovën, ditëve në vazhdim do të vazhdojë të mbajë takime pune edhe me kryesitë e degëve tjera, përkitazi me rajonet në vend.

5

Të ngjashme