Kryetari i Nismës, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se Nisma është kthyer në një shpresë për tërë Kosovën.
Ai i bëri komentet në hapje të fushatës zgjedhore të Nismës në Prishtinë, ku u prezantua kandidati për të drejtuar kryeqytetin, Shyqiri Bytyqi, dhe programi i tij.
Nisma iu kanë premtuar prishtinasve qytet të dinjitetshëm, punësim, qytet të pastër e pa kaos urbanistik.
Kreu i Nismës, Limaj, tha se në Prishtinë vijnë me një kandidat dhe me një ekip që është shpresë dhe alternativë për Prishtinën.
“Po vijmë në Prishtinë me një kandidat dhe me një ekip, e cila është e mishëruar me një vizion dhe një platformë politike që po kthehet në një shpresë dhe në një alternativë, jo vetëm për Prishtinën, por për Kosovën. Nisma social-demokrate si vizion dhe koncept ka nisur një rrugë të vështirë, jo të letë, por vendimtare për të ardhmen e vendit tonë. Në njërën anë keni grupe politike që çelësin e arritjes së suksesit të tyre e mbështesin në premtime dhe në mashtrime, premtime mashtruese dhe në anën tjetër e keni grupin tjetër që çelësin e suksesit të punës së tyre për të arritur vota sa më shumë, e mbështesin në garën për fyerje, sharje, e shkatërrime. Në mes të këtyre dy koncepteve është Nisma për Kosovën, objektiv i të cilës është t’i ofrojë njerëzit, t’i bashkojë”, tha Limaj.
“Ne nuk shfrytëzojmë të qenit në pozita shtetërore me dalë e me premtu këtu, por mos me krye punë. Nga detyra jonë zyrtare e kemi obligim me punu nuk e trafikojmë përgjegjësinë tonë shtetërore për një votë as për të premtuar gjëra të paarritshme për me keqpërdor pozitën tonë shtetërore”, shtoi ai.
“Ju e dini që disa përpara në pozita shtetërore kanë premtuar rrejshëm për të përfituar vota. Ne këtu kandidojmë një djalë intelektual e menaxher të mirë për t’i ofruar Prishtinës një ndryshim. Ai e ka emrin Shyqiri Bytyqi”.
Ndërkaq, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, tha se Prishtina dhe prishtinasit kanë nevojë për një parti social-demokrate.
“Si qyteti i Prishtinës, si qytetarët e saj kanë nevojë shumë për një parti politike me parime të social demokracisë dhe në themelet e partive të social demokratëve, është lira. Liria për të menduar, liria për t’u shprehur, lira për të folur dhe për të shkruar dhe mbrojtur atë që mendon njeriu. Parim tjetër i social-demokracisë është drejtësia, drejtësia mbrohet nga njerëzit që marrin besimin dhe marrin mbështetjen nga qytetarët, nga njerëzit që marrin pushtet, por drejtësia mbrohet dhe duhet të mbrohet nga institucionet që në kushtetutë dhe ligje e kanë të drejtën për ta mbrojtur drejtësinë”, tha ai.
Ndërsa, kandidati i Nismës për kryetar të Prishtinës, Shyqiri Bytyqi tha se Prishtinën do ta bëjnë sociale, ku qytetarët do ta ndjejnë kujdesin social.
“Ne e duam Prishtinën prandaj duam që qyteti jonë të jetë i dinjitetshëm, ai nuk mund të jetë i tillë pa pasur një vend pune, andaj ne e kemi bërë moton tonë një anëtar të punësuar për çdo familje. Ky është hapi i parë drejt dinjitetit shoqëror dhe shpërndarjes së barabartë të mundësive, solidarizimi që karakterizohet me programin tonë programor, fillon pikërisht këtu. Ne Prishtinën do ta bëjmë Prishtinë sociale, me maketin social qytetarët do ta ndjejnë kujdesin social. Shërbimet e ofiqarisë do të jenë pa pagesë, studentët do të shfrytëzojnë shërbimet më të lira. Porta hyrëse e qytetit do të simbolizojë krenarinë e qytetit tonë”, tha Bytyqi.
Po ashtu, pretendenti për Prishtinën tha se Pallatin e Rinisë do t’ia kthejnë në shërbim sportistëve të Prishtinës. Bytyqi gjithashtu tha se me politikën sociale demokrate do ta sjellë pastërtinë në qytetin e Prishtinës.