Fati i koalicionit Nisma – AKR – PD ka mbetur peng i rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit.
Edhe pse nga ky koalicion po deklarojnë se qëndrojnë mbi pragun zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka publikuar kurrfarë rezultati që konfirmon një gjë të tillë.
Madje ende nuk ka ndonjë afat të caktuar se kur do të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së.
Gjatë ditës së djeshme Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar t’i numërojë 4 mijë e 639 votat e diasporës, të cilat kishin ardhur me vonesë në Kosovë.
Por mosnumërimi i këtyre votave nuk do të jetë pengesë për koalicionin Nisma – AKR – PD, pasi ata shprehen të bindur se edhe pa votat e diasporës e kanë kaluar pragun zgjedhor prej 5 për qind.
Mirëpo njëjtë nuk mendojnë njohës të rrethanave politike në vend, të cilët theksojnë se rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit aktualisht nuk është në anën e Nismës, që sipas tyre për 12 vota ka mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ata theksojnë se numërimi i votave të vonuara të diasporës do të mundë të ishte shansi i vetëm për këtë subjekt që të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dhënë ndonjë datë se kur do t’i shpallë rezultatet përfundimtare, kështu duke e lënë fatin e koalicionit Nisma – AKR – PD të papërcaktuar.