Anëtari i Kryesisë së Nisma për Kosovën, Bajram Hasani i ka reaguar kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti duke e porositur që të mos i fus hundët në çështje që nuk i takojnë por të merret me problemet e shumta të shqiptarëve në Maqedoni.
Hasani ka thënë për gazetën “Lajm” se Ali Ahmeti nuk duhet t’i mësojë qytetarët e Drenasit se për këtë të votojnë, por duhet të punojë më shumë për çështjen shqiptare në Maqedoni.
“Ali Ahmeti sot i paska dhënë mbështetje Ramiz Lladrovcit. Shikojeni nga kush i vjen mbështetja. Ali Ahmeti aq shumë dëme u ka bërë shqiptarëve të Maqedonisë, tash i ka mbetur vetëm t’i mësojë qytetarët e Drenasit se për kë të votojnë. Ali merru me problemet e shqiptarëve në Maqedoni, kujtoj shokët e tradhtuar, puno për lirimin e shokëve që po të kalben burgjeve, mundësoja shqiptarëve atje të flasin gjuhën e nënës”, ka thënë Hasani.
Ai e ka pyetur Ali Ahmetin se kush e ka porositur që t’i fus hundët në zgjedhjet për kryetar të komunës së Drenasit në Kosovë. Hasani ia ka kujtuar atij se edhe zgjedhjet në Maqedoni do të mbahen shumë shpejt dhe se shpreson që edhe atje të vendosin për ndryshim.
“ Çka dhe kush të shtyri të fusësh hundët në zgjedhjet e Drenasit? Zgjedhjet në Maqedoni do të mbahen shumë shpejt. Uroj që edhe shqiptarët atje të vendosin për ndryshime dhe të mos luaj më me ta dhe fatin e tyre Gruevski. Qytetarët e Drenasit e dinë për kë të votojnë. Drenasi ka vendosur për Isa Xhemjlajn”, është shprehur ai.