Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Muharrem Nitaj ka takuar sot menaxhmentin e KEDS-it, ku u njoftua për gjendjen me furnizim të energjisë elektrike në Kosovë.
Gjatë takimit, ministri Nitaj kërkoi nga menxhmenti i KEDS-it që të ketë furnizim të mirë me energji elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës gjatë këtyre ditëve, kur temperaturat kanë rënë nën zero.
Po ashtu porosi e veçantë e Nitajt ishte që të mos ketë ndërprerje të energjisë elektrike në asnjë qendër të votimit gjatë 14 shkurtit, kur në Kosovë mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Menaxhmenti i KEDS-it e njoftoi ministrin Nitaj se situata më problematike mund të paraqitet në Komunën e Malishevës, si pasojë e problemeve të trashëguara më parë. Ministri Nitaj kërkoi nga KEDS-i që paraprakisht të sigurohen mundësi alternative të furnizimit me energji elektrike gjatë ditës së votimeve në të gjitha qendrat e votimit në këtë komunë.
KEDS u zotua që do të bëjë çdo gjë që është e mundur që furnizimi me energji elektrike të mos mungojë gjatë ditës së votimit, ndërsa njoftuan që ekipet do të dalin në terren për të kontrolluar gjendjen e stabiliteteve teknike në objektet, të cilat do të jenë si qendra votimi.