Ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Njazi Thaçi, ka reaguar pas debatit për energjinë, duke kritikuar ashpër nivelin e diskutimit dhe mungesën e përgatitjes së pjesëmarrësve.
Në një postim në rrjete sociale, Thaçi ka shkruar se debati e ka lënë të zhgënjyer për gjendjen aktuale të diskursit publik në sektorin e energjisë.
“E shikova debatin për energjinë dhe u ndjeva keq për ku kemi ardhë. Me i pasë faktet në dorë e mos me ditë me i përdorë, është për keqardhje”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar se mungesa e njohurive nuk duhet të maskohet me deklarata të pasakta.
“Nuk është marre me pyetë — marre është me folë pa ditë”, ka shkruar Thaçi.
Tutje, ish-drejtori i KEK-ut ka kritikuar edhe mënyrën se si janë trajtuar pretendimet gjatë debatit, duke përmendur deputetin Armend Muja.
“Me e pasë në debat Armend Mujën e mos me ditë me i demasku pretendimet e pasaktësitë me fakte, është po ashtu për keqardhje”, ka vlerësuar ai.
Thaçi ka shprehur shqetësimin për mungesën e kuadrove të përgatitura për debate publike.
“Shpresoj që s’kemi ra në atë derexhe që mos me pasë njerëz të përgatitur për debat”, ka përfunduar ai.