Një 18-vjeçar arrestohet për falsifikim të parasë në Ferizaj

Prishtinë | 29 Shk 2024 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

Një 18-vjeçar është arrestuar për falsifikim të parasë në Ferizaj.

Policia njofton përmes një komunikate për media, se dje rreth orës 23:00 ka pranuar një informacion se në një lokal në rrugën “Bajram dhe Gursel Sylejmani”, një person kishte kryer pagesën e shërbimeve me një kartëmonedhë të dyshuar prej 50 euro dhe ishte larguar me një veturë me targa vendore në drejtim të panjohur.

“Policët hetues nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kanë nisur hetimet. Pas një pune intensive në terren, grumbullimit të informacioneve dhe shikimit të kamerave të sigurisë, kanë arritur të identifikojnë automjetin Golf VI dhe të dyshuarin A.M ( M/K) i moshës 18 vjeçar, të cilin në ora 01:30 të datës 29.02.2024 e kanë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj, ndërsa i janë gjetur edhe pesë (5) kartëmonedha me nga pesëdhjetë (50) euro të dyshuara si të falsifikuara, të cilat si provë materiale janë sekuestruar”, thuhet tutje në njoftim.

Pas intervistimit nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura tjera hetimore, ndërsa rasti është cilësuar “Falsifikim i parasë”.

Të ngjashme