Një adresim për popullin

Prishtinë | 17 Gus 2023 | 17:30 | Nga Shenoll Muharremi

Shumë interesant sesi asnjëherë nuk i adresohet qytetarëve askush nga liderët e institucioneve. Sikur jetim jemi, apojo? Kurrë nuk del askush me na siguruar sadopak e me na thanë “Mirë jemi.. Jemi duke bërë këtë dhe atë për ta përmirësuar gjendjen”. Në cilin duash sektor. Krim, ekonomi, tregun e punës, migrim..

“E ardhja jonë e përbashkët është e sigurtë”, kësi lloj sigurie dëshiron qytetari. “Nuk do të ketë më vrasje nëpër kafiteri…” apo edhe “Nuk tolerojmë të helmojmë rininë tonë me droga iligale në laboratore famkeqe”. Kaq e meriton gjithkush, secila shoqëri.

Por nuk po vie nga askush, jemi jetim. Nuk po flas për ekonomi e investitorë, se ata kërkojnë siguri tjera dhe kushte specifike. Ata i ndjekëm me dhunë politike këtë vit. Po flas për njerëzit e thjeshtë. Ata që po dëshirojnë të largohen se nuk kanë shpresa më këtu. Për biznispersonin e ndërmarrësin që po sfidohet çdo ditë.

Atyre dhe të gjithë ne tjerëve dikush të na siguroj që jemi në drejtim të duhur. Të na siguroj që këtu ka shtet dhe funksionon sundimi i ligjit, e jo bandat kriminele, krimi organizuar e kartelet e dogës. A mos po lypim shumë ne? Hmmm aspak.

Ky popull është mësuar t’i merret (vidhet) vota dhe të lihet jetim, në mëshirë të fatit. Kjo mendësi duhet ndryshuar. Ata që janë përgjegjës duhet të bëhen të gjallë e t’i dalin zot vendit, e jo vetëm kur ju duhen votat të na lodhin me ‘patriotizëm’ e ‘patetizëm’.

Të gjithë e meritojmë me u ndier të sigurit dhe me pas shpresa për të ardhmën. Por kjo nuk vie vetvetiu. Duhet ata që janë përgjegjës me lëvizë dhe me e kryer punën e vet si duhet. Me na siguru të gjithëve që gjithçka po bëhet për me qenë të sigurtë dhe me pas të ardhme më të mirë.

Këtë e kanë edhe obligim kushtetues, moral e politik. Se ne në/për dasmë nuk i kemi ftuar e votuar ata, por me na adresuar dhe zgjedhur problemet dhe me na organizuar resurset që me arritë potencialin. Sa për kështu, nuk na duhet as qeveri as institucionet…lëvizim vet me intercion të kohës.

Të ngjashme