Një akademi synon të gjejë yllin e ardhshëm mes bonjakëve e fëmijëve të rrugës

Prishtinë | 25 Maj 2018 | 16:07 | Nga

Një akademi sportive egjiptiane është duke shikuar për yllin e ardhshëm të madh të vendit në mesin e jetimëve dhe fëmijëve të rrugës, duke shpresuar t’u japë atyre një mundësi për të përmirësuar jetët e tyre.

E themeluar nga ish-futbollisti profesionist Tamer Begato, akademia “Fëmijët pa strehë” organizon ndeshje mes djemve të rinj që janë të gatshëm të demonstrojnë shkathtësitë e tyre të futbollit, para se t’i pyesin ata nëse janë të interesuar t’i bashkohen akademisë, shkruan sot Koha Ditore.

“Unë kam nisur të dëgjoj storiet e fëmijëve dhe se si e gjithë ëndrra e tyre është që të bëhen heronj apo kampionë. Ëndrrat e tyre janë të bëhen kampionë të futbollit. Unë kam ndier se nëpërmjet futbollit mund të nxjerr talentin e një djali, pa e ditur ata se kanë talent. Ai mund të bëhet shumë i madh në futboll apo në ndonjë fushë tjetër”, ka deklaruar Begato.

E financuar nga Begato, akademia është themeluar këtë vit dhe tash stërvit mbi 50 fëmijë të moshave nga 8 deri në 14 vjeç. Derisa stërvitja kryesisht është e koncentruar në shkathtësitë e futbollit dhe në taktikë, fëmijët po ashtu marrin mësime të tjera që i ndihmojnë ata të integrohen në shoqëri.

Sipas Kombeve të Bashkuara ka rreth 150 milionë fëmijë të pastrehë nëpër botë dhe sipas një studimi të vitit 2014 nga Instituti Nacional i Egjiptit për Shoqëri, është llogaritur se ka më tepër se 16 mijë fëmijë që jetojnë rrugëve në Egjipt, në një vend me më tepër se 95 milionë banorë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme