Mbetjet e një anijeje të Australisë, e fundosur nga një nëndetëse japoneze në Luftën e Dytë Botërore, u gjetën pas 77 vjetësh, thanë zyrtarët.
Anija SS Iron Crown u godit nga një torpedo jashtë shtetit të Viktorias në vitin 1942. Tridhjetetetë njerëz mbetën të vrarë, ndërsa pesë anëtarë të ekuipazhit mbijetuan.
Anija u fundos brenda 60 sekondash pas sulmit në Ngushticën Bass.
Arkeologët detarë thanë se gjetja e mbetjeve të saj është “një ngjarje me rëndësi kombëtare”.
Ekipi i kërkimeve nga Muzeu Australian Detar i gjeti mbetjet rreth 100 kilometra larg Viktorias dhe rreth 700 metra nën sipërfaqen e oqeanit.
Anija ka qenë duke transportuar minerale nga Australia e Jugut në Uellsin e Ri Jugor në kohën kur është sulmuar.
Pesë të mbijetuarit janë shpëtuar nga një anije tjetër.