Një delegacion i Kuvendit të Kosovës, në përbërje: Zenun Pajaziti, anëtar Komisionit për Integrime Evropiane, Time Kadriaj, zëvendëskryetare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Glauk Konjufca, anëtar i këtij komisioni, po marrin pjesë në Konferencën Ndërparlamentare, me temën: Transformimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor – Një perspektivë parlamentare mbi rolin dhe të ardhmen e procesit të pranimit në BE, e cila po mbahet në Sofje të Bullgarisë me 5 tetor 2018.
Kjo konferencë ndërparlamentare është organizuar nga Parlamenti Evropian dhe Kuvendi Kombëtar i Republikës së Bullgarisë.
Në konferencë është diskutuar rreth Samitit BE – Ballkani Perëndimor, prioritetet e agjendës së Sofjes, procesit të Samitit të Berlinit dhe mbështetjes së vazhdueshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në BE, pastaj rolit të parlamentit kombëtar dhe Parlamentit Evropian në forcimin e perspektivës evropiane të këtyre vendeve, rëndësisë së bashkëpunimit ndërparlamentar dhe rajonal, përshpejtimit të reformave etj.
Anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, deputeti Zenun Pajaziti, duke folur në emër të delegacionit të Kosovës, bëri një përshkrim të gjendjes në Republikën e Kosovës lidhur me procesin e integrimit evropian, procesin e liberalizimit të vizave dhe rolin e Kuvendit në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Gjithashtu tha se në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit nuk është duke zbatuar marrëveshjet e arritura, si dhe kritikoi deklaratat e presidentit serb me rastin e vizitës në veriun e Kosovës.
Në këtë konferencë morën pjesë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, disa deputetë të Parlamentit Evropian, disa deputetë të parlamenteve kombëtare të shteteve anëtare dhe Kuvendit Kombëtar të Bullgarisë.