Haradinaj në Sofje, takon homologët nga Suedia e Danimarka

Prishtinë | 17 Maj 2018 | 14:27 | Nga

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, po qëndron në Sofje të Bullgarisë, për samitin e BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Me këtë rast kryeministri ka zhvilluar takime me homologë të shteteve të ndryshme.

Përmes disa shkrimeve në Facebook vetë Haradinaj ka njoftuar për takimin me kryeministrin e Suedisë, Stevan Lofven, me të cilin ka diskutuar për të ardhmen evropiane të Kosovës.

“Mundësi e shkëlqyer që ta njoftoj kryeministrin e Suedisë, Stefan Löfven, për angazhimet e vendit tonë në përafrimin me familjen e madhe europiane. Kosova është jetësisht e angazhuar që të përqafojë vlerat e përbashkëta europiane dhe në këtë përpjekje ka bërë progres të madh”.

Haradinaj gjithashtu ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin e Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, vend të cilin e cilësoi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës.

“Gjatë takimit me kryeministrin danez, Lars Løkke Rasmussen, në margjina të Samitit të Sofjës, folëm për progresin e Kosovës sa i përket sundimit të ligjit si kriter i fundit për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë, që janë europianët e fundit, të cilët nuk e gëzojnë këtë të drejtë.Danimarka është një mbështetëse e madhe e rrugëtimit tonë euroatlantik dhe ky shtet do të jetë avokues i Kosovës në këtë aspekt”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme