Një djalë 10 vjeç, i quajtur Christian Stone, dhe një mike e familjes së tij, ua larguan borën rreth 80 veturave të stafit shëndetësor pas një stuhie bore në ShBA në shenjë falënderimi për punën e tyre të madhe gjatë pandemisë.
Christian dhe Abbey Meeker shkuan në spitalin Westerly në kohën kur bëhet ndërrimi i mjekëve, kur ata dilnin nga ndërtesa dhe shkonin në parking, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Në momentin që një pronar e hapte veturën nga largësia, ata nguteshin shpejt për ta pastruar. Meeker thotë se Christianit i erdhi kjo ide gjatë stuhisë së borës dhe ajo u pajtua që ta ndihmonte.
Ajo e njeh nënën e Christianit që nga shkolla e mesme dhe djaloshin e vlerëson si vëlla të vogël. “Ai është i zgjuar përtej moshës që ka. Është partneri im në krim”, tha me shaka zonja Meeker.
Sipas saj, djaloshit i pëlqen ndihma ndaj njerëzve dhe ua ka pastruar rrugët para shtëpisë falas para se të dy të shkonin në spital për ta bërë gjestin e bukur.
Një punëtore e spitalit tha se u habit pse vetura e saj ishte aq e pastër kur doli nga puna të martën në mëngjes. “E vetmja gjë që u desh ta bëj ishte të futem brenda dhe të vozis”, tha ajo, duke shtuar se iu nevojitën tri orë për të arritur në shtëpi për shkak të motit me borë.
Disa punëtorë të spitalit iu ofruan të holla dy personave që ua hoqën borën nga veturat. Djaloshi pranoi 20 dollarë nga dy infermiere këmbëngulëse, të cilat i thanë se do t’i hidhërohen, nëse nuk i pranon paratë.