Një e vrarë dhe një e dhunuar, dy raste kur as gratë nuk vepruan drejtësisht për gratë

Prishtinë | 06 Jan 2022 | 19:42 | Nga Ekonomia Online

“Është një vend i posaçëm në ferr për gratë që nuk i ndihmojnë gratë”, pati thënë dikur ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeline Albright.

E fatkeqësisht në institucionet e Kosovës, ka gra që nuk i mbrojnë gratë edhe kur jeta e tyre është në rrezik, shkruan Demokracia.com.

Nga neglizhenca e një prokuroreje grua, një 48 vjeçare dje u vra në fshatin Llaushë të Skenderajt. Një 51-vjeçar me inicialet S.Q., dyshohet se ka qëlluar për vdekjen gruan e tij 48-vjeçare me inicialet L.Q., në fshatin Llaushë të Skenderajt, gjatë ditës së djeshme.

Sipas policisë, dje rreth orës 13:40, 51-vjeçari që u arrestua nga policia dyshohet se e ka plagosur gruan e tij, nënë e tre fëmijëve, e cila është dërguar me urgjencë në Spitalin e Mitrovicës, ku ka ndërruar jetë.

Por, pesë ditë më parë, tani e ndjera me inicialet S.Q., e kishte paraqitur një rast në Policinë e Kosovës për dyshimin se kishte përjetuar dhunë fizike nga burri i saj. Lidhur me këtë rast që ishte raportuar në polici më 1 janar, prokurore kujdestare atë ditë ishte Stojanka Kasaloviq.

Kështu bëri të ditur Kryeprokurori i Mitrovicës, Ismet Ujkani, i cili tregoi se prokurorja 63-vjeçare me nacionalitet serb.

“Biseda qysh është zhvillimi mes prokurores dhe policisë nuk e di. Nuk është konstatimi se ka dhënë urdhër që me liru dhe rasti me shku në procedurë të rregullt, nuk është. S’është konstatimi prej prokurores. Nuk është pranuar rasti, ajo veç është informu. Rast ka pasur vetëm në polici, jo në Prokurori. Shkresat kanë ardhur sot në Prokurori. Nuk ka konstatim shkresa të lëndës që prokurorja ka dhënë urdhër me liru”, tha Ujkani.

Ndërsa, nëse do të merren apo jo masa ndaj prokurores Kasaloviq, Ujkani ka thënë se do të veprojnë konform ligjit.

“Konform ligjit do t’i shikojmë të gjitha rrethanat në bazë të cilave është zhvilluar komunikimi dhe do të vendoset konform rregullave. Krejt do të shikohet, çdo gjë, në bazë të asaj që është zhvillu komunikimi. Rasti ka ardhur në Prokurori dhe duhet të trajtohet”.

Ai, po ashtu, tregoi se nuk është në dijeni nëse ka pasur raste të tjera të raportuara për dhunë në familje nga tanimë e ndjera, L.Q., përveç rastit të 1 janarit.

“Sa e di, jo. Mesa e di veç ky rast është, nuk ka ndonjë rast tjetër. Nëse ka do definohet dhe do të sqarohet. Çdo gjë është transparente”, përfundoi ai.

Gjatë ditës së sotme në seancën për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit për vrasje të rëndë, S.Q., ka marrë pjesë prokurorja Fetije Bajrami.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin S.Q., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë“.

“Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari S.Q., me datë 05 janar 2022, në fshatin Llaushë të Skenderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij me iniciale L.Q., ashtu që pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me viktimën, ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknës dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup dhe si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin rajonal të Mitrovicës”, thuhet në njoftim, përcjell Demokracia.com.

I dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit ditën e djeshme dhe gjendet në ndalim 48 orësh.

Një lajm tjetër tronditës ishte në nëntor të vitit që lamë pas. Dhunuesi seksual i një vajze 15-vjeçare ishte dënuar me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim nga një gjyqtare grua, Florije Zatriqi. Edhe një grua tjetër, prokurorja Lirije Morina, u pajtua me dënimin e shqiptuar nga gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Pejës, Florije Zatriqi, prej vetëm 8 muaj e 8 ditë ndaj dhunuesit të së miturës.

Dhunuesit, gjykata ia kishte shqiptuar dënimin nën minimumin e përcaktuar në Kodin Penal. Këtë dënim të ulët, Gjykata e kishte arsyetuar me konstatimin e një mori rrethanash “posaçërisht lehtësuese”, që në raste të veçanta e lejojnë uljen e dënimit nën nivelin e përcaktuar me ligj. Ndërkaq, nuk kishte marrë parasysh asnjë, as edhe një rrethanë rënduese që do ta impononte një dënim më të ashpër.

Për shkak të presionit medial, reagimeve të qytetarëve dhe kërkesave për llogaridhënie të aktivistëve dhe organizatave feministe, institucionet përgjegjëse nisën hetimet disiplinore ndaj prokurores dhe gjykatëses së rastit.

Sipas Aktgjykimit të korrikut 2021 të Gjykatës Themelore në Pejë, në janar të vitit 2012, një vajzë 15-vjeçare ishte duke dalë nga spitali i Gjakovës kur ia prenë udhën dy persona, P.K., 21-vjeçar dhe një i mitur. Ata me dhunë dhe duke e kërcënuar me thikë “e morën” vajzën dhe e dërguan në një shtëpi të pabanuar. Nga aty, e ftuan edhe një person të tretë me telefon dhe së bashku “gjatë tërë natës” e dhunuan seksualisht vajzën 15-vjeçare. Herët në mëngjes, ajo ia doli të ikte nga shtëpia dhe ta paraqiste rastin në polici. P.K. qëndroi në paraburgim nga shkurti deri në nëntor 2012, gjithsej 8 muaj dhe 8 ditë.

Në nëntor 2012, Gjykata Themelore në Pejë e shpalli fajtor P.K. dhe dy të miturit për “dhunim në bashkëkryerje” të personit nën moshën 16-vjeçare. P.K. u dënua me 2 vite burgim, ndërsa dy të tjerët me nga 1 vit burgim për të mitur.

Megjithëse P.K. u shpall fajtor për dhunim seksual, atij nuk iu vazhdua paraburgimi dhe u la i lirë në ditën kur u shpall fajtor. (Sipas të dy vendimeve të lartpërmendura, nuk është e qartë nëse Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit të P.K. pas shpalljes fajtor për dhunimin e vajzës 15-vjeçare).

P.K. dhe njëri nga të akuzuarit tjerë u ankuan në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit që i shpalli fajtorë.

Gjykatës së Apelit iu deshën plot 492 ditë ose 1 vit, 4 muaj e 8 ditë për ta marrë vendimin, me të cilin u anulua Aktgjykimi i vitit 2012 dhe lënda u kthye në rivendosje te Gjykata Themelore në Pejë. Sipas Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore në Pejë kishte shqiptuar dënimin me burgim nën minimumin e dënimit të përcaktuar me Kodin Penal për dhunim seksual të një personi nën moshën 16-vjeçare dhe se këtë do të kishte mundur ta bënte vetëm pas konstatimit të rrethanave posaçërisht lehtësuese, të cilat nuk ishin konstatuar në vendim.

Pas një viti, Gjykata Themelore në Pejë e ndau procedurën e personit P.K. nga procesi ndaj dy të miturve, sepse P.K. gjendej jashtë Kosovës.

Kaluan 7 vjet e pas aktvendimit të Gjykatës së Apelit deri kur u mbajt seanca e rishqyrtimit gjyqësor, sipas kërkesës së avokatit të të akuzuarit P.K. Më 23 korrik 2021, Gjykata Themelore në Pejë e shpalli sërish fajtor P.K. për dhunimin seksual të 15-vjeçares.

Kësaj radhe, gjykata ia uli dënimin në vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim, saktësisht aq ditë sa i kishte kaluar i akuzuari në paraburgim në vitin 2012 dhe atij s’iu shtua asnjë ditë burgim. Prokuroria nuk ushtroi ankesë ndaj këtij vendimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme