Kur Krusto Kaarmann e godiste veten, duke e quajtur “shumë budalla”, nuk e dinte se do t’i lindte ideja për një kompani që tash vlen më shumë se 1 miliard e 400 milionë euro. Në vitin 2008, estoni që atëherë ishte 28-vjeçar dhe punonte në Londër si këshilltar i menaxhimit, pranoi një bonus të madh për Krishtlindje prej 10 mijë funtesh.
Pasi normat e interesit për paratë e kursyera në bankë ishin më të larta në Estoni, ai vendosi që t’i transferojë të hollat nga xhirollogaria e tij në Britani të Madhe në llogarinë e kursimeve që e kishte të hapur në Estoni në mënyrë që të përfitojë më shumë nga paratë e kursyera. “Ia pagova bankës britanike 15 funte për t’i transferuar 10 mijë funte, ndërsa më vonë e pashë se në llogari më ishin transferuar 500 funte më pak sesa prisja”, thotë Krusto.
“Fillova të hulumtoj për atë që kishte ndodhur dhe kuptova se isha treguar vërtet budalla. Unë kisha pritur që banka në Britani të ma ofrojë kursin e këmbimit që e kisha parë në Reuters, por ata ma kishin ofruar një kurs këmbimi që ishte për 5 për qind më pak i favorshëm për mua. Ky ishte gabimi im”, shtoi ai.
I zemëruar me veten, Kristo ishte zotuar se do ta gjente një mënyrë të transferimit të parave mes shteteve që e shmangte bankën nga ky proces. Fillimisht, ai e nisi punën vetëm me shokun e tij, Taavet Hinrikus, i cili atëherë ishte drejtor në kompaninë e telekomunikimit, “Skype”. Ata filluan të transferojnë para në mënyrë joformale mes vete.
Kjo ide funksionoi sepse transferet kryheshin përmes ndërrimit të valutave. Për një kohë të shkurtër, ata arritën ta ndërojnë një rrjet të miqve estonë, të cilët e bënin të njëjtën gjë. Në këtë mënyrë, ata e kuptuan se mund ta ndërtonin një kompani përmes kësaj veprimtarie.
Kështu, në vitin 2011 ata e themeluan faqen “TransferWise”, e cila ishte e bazuar në Londër dhe ua mundësonte përdoruesve transferimin e të hollave jashtë vendit në një valutë tjetër me tarifë prej 0.5 për qind. Sot, kjo faqe është bërë kompani botërore.
Për t’u siguruar se nuk do të përballen me probleme ligjore, ata kishim marrë licencë nga autoriteti i rregullatorit britanik për shërbime financiare. Në vitin 2012, faqja kishte arritur ta sigurojë përkrahjen e parë, e cila u kishte ardhur nga një fondacion nga Nju Jorku.
Me rritjen e kompanisë erdhër edhe investitorët tjerë. Tash vlera e investimeve në këtë kompani ka arritur në 305 milionë funte. Faqja dhe aplikacioni i tyre është përdorur nga më shumë se katër milionë njerëz dhe në to kanë qasje qytetarët e 50 shteteve, në 49 valuta të ndryshme. Kompania thotë se 3 miliardë funte transferohen përmes shërbimit të tyre çdo muaj.
Sot, kompania i ka 1400 punëtorë. Një zyrtar i saj thotë se kompania është rritur shpejt për shkak të tarifave të ulëta dhe mungesës së tarifave të fshehta. Zyrat e saj janë hapur në Estoni, Hungari, Japoni dhe vende të tjera, shkruan BBC.