Një grua 43-vjeçare, e cila ishte e shtrirë në një nga klinikat e QKUK-së, ka bërë vetëvrasje duke u hedhur nga lartësia.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30, ka konfirmuar Policia e Kosovës për Gazetën Blic.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agon Borovci, dyshohet se 43-vjeçarja ka bërë vetëvrasje.
“Nga informacionet e para që ka policia, dyshohet që viktima femër, 43 vjeçe, paciente në një nga klinikat e QKUK-së, për shkaqe ende të panjohura të ketë bërë vetëvrasje duke u hedhur nga një prej klinikave të QKUK-së. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka filluar një hetim lidhur me rrethanat që mund të kenë sjellë deri te kjo ngjarje”, ka theksuar ai.
Sipas burimeve të Gazetës Blic, viktima vuante nga depresioni, derisa kishte të shtrirë në QKUK edhe dy familjarë. Ajo është nga komuna e Drenasit.