Besnike Beqiraj, 29-vjeçare nga Prishtina, gati sa nuk e humbi jetën e saj dhe të fëmijës në bark, pasi që u sulmua nga dhjetëra qenë endacak në rrugën “Ibrahim Oruqi” në lagjen “Mati 1” në kryeqytetet.
Ajo derisa po kthehej nga çerdhja ku i kishte dërguar dy fëmijët e saj, me të arritur afër shtëpisë ku jeton, u kafshua nga dhjetëra qen endacak në pjesën e poshtme të trupit, përfshirë edhe barkun ku ajo po mban fëmijën e saj.
Ajo është dërguar me urgjencë në QKUK ku po merr tretman mjekësorë.
Besnikja e cila është në muajin e gjashtë të shtatzënisë, ka treguar për Gazetën Objektiv momentin se kur është sulmuar nga qentë.
“Atëherë në ora 08:00 mëngjesit duke u kthyer prej çerdhes së fëmijëve, i kam dërguar fëmijët në çerdhe. Duke u kthyer në shtëpi, është një pjesë ku rrinë vazhdimisht qentë, sepse shtëpia është e pabanueshme, aty më kanë sulmuar thuajse 10 qenë”, ka rrëfyer Besnike Beqiraj për Gazetën Objektiv.
E pafuqishme për t’iu kundërvënë, ajo ka treguar se është rrëzuar përtokë, sakaq disa prej qenve edhe e kanë kafshuar në disa pjesë të trupit.
Gruaja shtatzënë madje thotë se qentë e sulmuan edhe në pjesën e barkut duke ja rrezikuar jetën e foshnjës së saj.
“Më kanë sulmuar shumë, më kanë rrëzuar, nuk kam mundur të iki më tepër. Kur ka dashtë me më hupë vetëdija s’kam mundur të bëjë diçka. Jam shtatzënë në muajin e 6. S’kam pas kalimtar që kanë mundur me më ndihmu, sepse nuk më ka dëgjuar askush. Janë larguar dhe kam vrapuar shumë shpejt për të shkuar te shtëpia. Kam pasur tepër dhimbje, vetëdija ka qenë duke më humbur. Kam tepër plagë prej pjesës së barkut e teposhtë”, ka thënë më tej ajo.
Ajo thotë se është kafshuar në të gjithë pjesën e këmbëve.
“Këta të Komunës nuk vijnë për me pa gjendjen, aty rrinë kogja shumë qenë dhe fëmijët kalojnë gjithmonë andej. Ka shumë kalimtar që kanë pas problem. Tash pak qetësim të dhimbjeve kam, se jam duke marrë terapi por, dhimbtën e kam shumë të fort. Krejt pjesën e këmbëve jam e kafshuar”, tregoi më tej gruaja e sulmuar.
Në anën tjetër, rreth gjendjes së 29-vjeçares, ka folur për Gazetën Objektiv edhe mjekja kujdestare në Emergjencë.
Doktoresha Krenare Makolli thotë se B.B është sulmuar kryesisht në pjesët e këmbëve.
“Pacienten e kemi pranuar sot në mëngjes. Sigurisht për shkak të gjendjen së saj që është shtatzënë, është një gjendje më e jashtëzakonshme se sa rastet që na ndodhin zakonisht neve. Ajo ka qenë e shqetësuar padyshim. Është trajtuar, është konsultuar gjinekologu, është mbuluar me terapi. plagët janë fashuar, janë pastruar është bërë trajtimi i tyre. I ka disa plagë në ekstremitete. Kafshimet e qeneve dinë me bërë plagë jo të qarta”, u shpreh Makolli për Objektiv.
Ngjarjen e mëngjesit të sotëm, e kishte dëgjuar edhe Sabri Syla, banor i lagjes “Mati 1”.
Syla madje thotë se raste të tilla kur qentë sulmojnë banorët e kësaj pjese të qytetit, ndodhin vazhdimisht.
“Mëngjes kam qenë këtu. I kam dëgjuar të bërtiturat e qenve. Deri kam dal poshtë për nja 30-40 qenë të mëdhenj kanë qenë. Ka bërtitur një femër. Unë se kam parë vetëm e kam dëgjuar. Prej këtu kanë vrapuar qentë, dhe aty kishin qenë edhe 20 qenë. Mbas gjysmë ore kam dëgjuar që e kanë sulmuar një grua shtatzënë. Nuk është hera e parë, shpesh këtu ka qenë. I kemi lajmëruar policinë dhe Komunën dhe nuk vijnë”, theksoi ai.
Banorët e kësaj lagjeje vazhdimisht janë të rrezikuar nga qentë endacak.
Ata thonë se për këtë problem e kanë njoftuar edhe Komunën e Prishtinës si dhe Policinë, mirëpo që asnjëri prej këtyre institucioneve nuk i është përgjigjur thirrjes së tyre.
“E kanë ditur edhe Komuna e Policia, ne ankohemi për ditë që po na ndodhin sulme të qenve. 4-5 persona brenda muajit i kanë sulmuar. Janë të rrezikshëm, të pa vaksinuar. Duhet me i strehuar dikund, nuk ka as strehimore. Komuna ka veç fjalë e vepra kurrkund hiç”, ka thënë në fund Syla.