Në doganën e Morinës janë sekuestruar 77.160 franga zvicerane të padeklaruara në vlerën e 71 mijë e 600 eurove, gjatë kontrollit nga policia.
Paratë e padeklaruara u gjetën në çantën personale të Rudina Binjakut, e cila po udhëtonte si pasagjere në makinë me drejtuesin e mjetit Burim Ferizaj, transmeton Shqiptarja. Dy personat, të cilët po hynin në Shqipëri nga Kosova me mjetin tip “Benz” u arrestuan. Rudina Binjaku ndodhet me banim në Ndroq të Tiranës, kurse drejtuesi i mjetit Burim Ferizaj banon në Kavajë.
35-vjeçari dhe 27-vjeçarja u arrestuan për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Nuk dihet akoma se cili është burimi i parave që mbante Rudina Binjaku në çantën e saj personale, por sipas policisë, materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.