Një grup i qytetarëve nga Deçani e Rugova kanë shprehur revoltën e tyre para Qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar Komisionin e Ekspertëve për Matjen e Territorit se ka falsifikuar hartat dhe po i falë tokë Malit të Zi.
Ata kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që mos ta miratojnë një vendim të tillë, sepse sipas tyre, hartat e prezantuara janë false dhe po humbin tokë 82 kilometra katrorë, raporton Ekonomia Online.
“Këto janë komisione falsifikuese, edhe komisioni i Murat Mehës. Kurrë nuk do të kalojnë këto harta janë të falsifikuara, jemi ardhë për herë të fundit sot këtu me ju thënë deputetëve mos gaboni me votu këtë demarkacion që e kanë bërë këta tradhtarë, sepse humbin 82 km katrorë. Ai që nuk beson që e humbim, le të vjen me neve e qojmë me dhe ja tregojmë praktikisht këtyre tradhtarëve. Ku i kanë marrë këto harta false herën tjetër kemi me ardhë mijëra qytetarë, kemi me blloku Prishtinën, krejt ky është vetëm fillimi. S’i japim bjeshkët tona, tokat tona kurrë, kurrë nuk do t’i lëshojmë”, ka thënë Rasim Ulaj, përfaqësues i fshatrave te komunës së Deçanit.
Në mesin e protestuesve ishte dhe Ali Lajçi, ish-kryetar i Pejës, e ish-rektori i UP-së, Mujë Rugova.
Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës ka prezantuar dje të dhënat, materialet dhe gjetjet, sipas të cilave del se Çakorri dhe Bjelluha janë jashtë territorit të Republikës së Kosovës, për të cilat përfaqësues të qytetarëve të Rugovës përreth kufirit me Malin e Zi kanë kundërshtime të mëdha. Ata e quajtën këtë raport si të kamufluar.