“Fama” e internetit nuk është synim për të gjithë, por për disa mund të jetë shumë e rëndësishme për të ndihmuar në promovimin e talenteve, bizneseve të tyre apo thjesht për qejf. Jo pak herë, shumë prej sukseseve të njerëzve të famshëm kanë ardhur pikërisht për shkak të rrjeteve sociale, prandaj mos e nënvlerësoni fuqinë e tyre.
Ka disa këshilla që duhet të ndiqni, nëse doni të jeni të suksesshëm në Facebook, Instagram, TikTok etj:
– Shpërndani përmbajtje (content) cilësore
Rrjetet sociale janë më së shumti për videot dhe fotot, prandaj sigurohuni t’i realizoni ato mirë. Për këtë nuk ju duhet një aparat profesional apo smartphone-i më i shtrenjtë, vetëm pak dëshirë për të realizuar gjëra të bukura. Sigurohuni të pozoni në vende me dritë, t’i editoni fotot bukur dhe të kërkoni për aplikacione të ndryshme edituese për foto dhe video.
– Profil estetik
Nuk është e rëndësishme të keni një profil 100% estetik, pasi ndonjëherë rezulati mund të jetë i mërzitshëm, por përpiquni të keni ndriçime të ngjashme në fotot tuaja, pasi i gjithë feed-i në tërësi do të duket më i kuruar.
– Postoni rregullisht
Nëse ju postoni një foto të bukur 1 herë në 2-3 muaj apo më rrallë, nuk keni për të arritur kurrë synimin që keni. Postoni rregullisht dhe shpesh, sigurisht pa u bërë të bezidsshëm. Një foto në ditë ose të paktën në 2-3 ditë do të ishte ideale.
– Postoni për audiencën tuaj
Përzgjidhni cilën kategori përdoruesish dëshironi të keni si vizitorë në profilin tuaj dhe fokusojini të gjitha rrjetet tuaja sociale tek ta. Sigurisht, duhet të zgjidhni një grup njerëzish me të cilët ndani interesa të përbashkëta, sepse përndryshe përshtatja do të ishte e vështirë.
– Bëhu social
Rrjetet sociale quhen kështu për një arsye. Nuk mund të bëheni “të njohur”, nëse nuk socializoheni me të tjerët. Ndiqni profile interesante, bëni like dhe komentoni sa më shumë. Evitoni komentet e tipit: “Ju lutem, më ndiqni!”, “Na ndiqni për…” etj, pasi përveçse ka mundësi të bëheni block nga profili ku po komentoni, thuajse asnjë nuk do të ketë interes t’ju ndjekë.
Çfarë të komentoni?
Komplimentoni dikë, kundërshtoni diçka që s’ju pëlqen, sugjeroni diçka ose bëni një shaka dhe do të shihni se përdoruesve të tjerë do t’u shtohet kureshtja të klikojnë mbi emrin tuaj dhe pse jo, t’ju ndjekin më pas. Kjo është edhe një mënyrë e mirë për të bërë disa miq virtualë.
– Përdorni #hashtags me zgjuarsi
Evitoni përdorimin e hashtags si #FollowMe #LikeForLike etj, pasi nuk kanë më asnjë lloj përfitimi. Shkruani hashtagë që i përshtaten audiencës që ju dëshironi. Tregohuni sa më konkretë dhe të përpiktë, pasi një hashtag me emër #love apo #pretty është i përdorur miliona herë dhe me siguri askush nuk do e shohë. Instagrami lejon deri në 30 hashtagë, prandaj sigurohuni t’i shfrytëzoni të gjitha dhe në postimet e tjera përdorini përsëri me copy-paste. Bëni disa grupe të ndryshme me 30 hashtagë, që mos të përdorni gjithnjë të njëjtat.
– Vendosni qëllime
Shënoni diku qëllimet javore ose mujore që keni për rrjetet tuaja sociale, pasi kështu i rrisni më shumë gjasat për t’i realizuar ato. Disa nga synimet tuaja mund të jenë: “Do të postoj 7 foto të reja këtë javë” apo “Do të fitoj 100 ndjekës këtë muaj”.
– Përdorni story-t e Instagram dhe Facebook
Nëse nuk e keni vënë re, herë pas here ju shfaqen story të sugjeruara nga Instagram, në explore-n e llogarisë suaj, pra duke përdorur story-t e Instagramit tënd, ti thjesht rrit më shumë mundësitë që t’iu shfaqesh përdoruesve të tjerë në explore-in e tyre.
– Promovoni rrjetet sociale tek njëra-tjetra
Nëse keni vënë re se gjërat me TikTok-un po shkojnë mirë, provoni ta shpërndani aty profilin tuaj të Instagramit. Në këtë mënyrë, disa nga miqtë e TikTok-ut do t’ju bashkohen në Instagram e kështu me radhë deri sa të mbërrini aty ku dëshironi me të gjithë rrjetet tuaja sociale. Ju gjithashtu mund të vendosni të fokusoheni në vetëm 1 apo 2 platforma, aty ku e gjeni më mirë veten dhe përshtateni më mirë me audiencën tuaj.
– Jini sa më të veçantë
Sado klishe të duket, kjo është këshilla më e rëndësishme nga të gjitha. Nëse ti fiton disa ndjekës dhe vazhdon të postosh një përmbajtje të njëjtë me atë të 100 profileve të tjera, përdoruesve nuk iu kushton asgjë të të bëjnë “un-follow” apo “un-friend”. Duhet të jepni diçka nga vetja juaj, që ju dallon nga të tjerët. Mund të jetë një sens humori i veçantë, një lloj editimi ndryshe i fotove apo diçka tjetër, këtë e keni në dorë ju.