Një britanik 24-vjeçar është në mesin e 19 njerëzve që e humbën jetën nga një aksident me autobus në Nepal, tha policia e shtetit të largët aziatik.
Autobusi po transportonte turistë dhe po udhëtonte drejt kryeqytetit Kathmandu, kur e humbi kontrollin dhe ra 200 metra në shtratin e lumit Trishuli, në distriktin Dhading, në orët e hershme të së hënës, raporton televizioni BBC.
Në autobus ndodheshin gjithsej 44 persona, 25 prej të cilëve pësuan lëndime. Autobusi ishte duke ardhur nga Pokhara, pikë e popullarizuar turistike.
Ministria e Brendshme e Nepalit ka themeluar një task-forcë me pesë anëtarë për ta hetuar shkaktarin e incidentit. Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashuar tha se po i ofronte asistencë familjes së britanikut që e humbi jetën në aksident.
Autoritetet e Nepalit e identifikuan britanikun si Stewart Dominic Ethan. Emri i tij, megjithatë, nuk u konfirmua nga Zyra e Jashtme.
Policia e Nepalit tha se i ka identifikuar të gjithë 19 trupat, përfshirë një grua 40-vjeçare kineze dhe një burrë 32-vjeçar nga India. Në mesin e të lënduarve është një shtetas i Zelandës së Re.
Të gjithë të lënduarit janë dërguar në spitale të kryeqytetit. Në autobus raportohet se kishte edhe fëmijë.
Autoritetet thanë se disa ekipe u dërguan në vendin e ngjarjes, përfshirë policinë, ushtrinë dhe një ekip shpëtimi të përbërë nga zhytës.