Njëri prej sportistëve më të mirë të kanotazhit në Japoni po përballet me suspendim të përjetshëm, pasi ka pranuar se rivalit të tij i ka hedhur qëllimisht në pije steroid anabolik për të dalë i dështuar nga testet e dopingut.
Yasuhiro Suzuki i ka kërkuar falje publike kundërshtarit, Seiji Komatsu, që dështoi në testet e dopingut pas një ngjarjeje të mbajtur në shtator të vitit të shkuar, transmeton Koha Ditore.
Suzuki, edhe pse favorit për të triumfuar, ishte frikësuar nga konkurrenca dhe për këtë arsye kishte dashur që të eliminonte Komatsun në një mënyrë tejet josportive.
Fillimisht Suzuki është suspenduar për tetë vjet nga Federata japoneze, por pasi ka pranuar fajin publikisht e pret suspendimi i përjetshëm. Kështu që, Suzuki do të mbetet pa pjesëmarrje në lojërat olimpike “Tokio 2020”.
“Në vend se të punoj shumë, unë kam bërë thyerje të disiplinës si sportist dhe kam dëmtuar kolegun tim qëllimisht për të mos e lënë që të sigurojë normën për Lojërat Olimpike. Po ashtu, kjo sjellje imja nuk i përkon komunitetit të sportit dhe kërkoj falje nga të gjithë”, thuhet në letrën e firmosur nga Suzuki, që është prezantuar nga avokati i tij.