Një muaj paraburgim iu është caktuar dy të dyshuarve A. S dhe I.H.
Ata dyshohet se kanë shkaktuar aksidentin në autostradën “Ibrahim Rugova”, në dalje të Prizrenit, ku më 16 dhjetor vdiqën tre të rinj.
“Me datë 16 dhjetor 2023, rreth orës 22:30, në autostradën ‘’Ibrahim Rugova’’ në Prizren, saktësisht me dashje dhe në bashkëkryerje, veprojnë në kundërshtim me Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që paraprakisht, merren vesh dhe organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike, ashtu që të pandehurit, A.S., dhe I.H., lëvizin paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast i pandehuri A.S., humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin tjetër i cili ishte i ndalur në shiritinemergjent të austostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D., dhe L.S, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës dhe në të njëjtën kohë u shkakton lëndime trupore të dëmtuarve M.Z., S.Z., dhe B.P., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke e ndjekur zhvillimin e garës automobilisitke në mes të të pandehurve”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit, transmeton Klankosova.tv
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, dhe do të merret në pyetje të pandehurit, dhe dëshmitarët eventual. Andaj me lënien në liri të të pandehurve ekziston i posaçëm se të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurë hetimore, duke tentuar të ndikojnë në dëshmitarë apo tek bashkë të pandehurit”.
“Po ashtu duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale që i’u, ngarkohet dhe pasojat që kanë shkaktuar me veprimet e tyre, është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm”.
“Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohen të pandehurit, dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, duke ndërmarrë veprime të rrezikshme, të gjitha këto shtojnë dyshimin se me lënien e të të pandehurve në liri të njëjtit mund të përsëris veprën penale, apo mund të ipen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale”.