Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarës për vrasjen e 67 vjeçares në Dragash

Prishtinë | 29 Dhj 2022 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

Një muaj paraburgim i është caktuar të dyshuarës N.A., për vrasjen e S.D., në Kuk të Dragashit.

Gjykata Themelore në Prizren, të enjten, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, raporton Betimi për Drejtësi.

Viktima ishte rrahur me datën 23 dhjetor, ndërsa kishte vdekur tri ditë më vonë.

Sipas prokurorisë e dyshuara “me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes, motrën e bashkëshortit me të cilën ka bashkëjetuar në ekonomi të përbashkët familjare, në atë mënyrë që me datën 23.12.2022 rreth orës 10:00, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës S.D., e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së të pandehurës, me një dru të ahut në gjatësi prej 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit me ngjyrë të bardhë, me gjatësi prej 87 cm dhe trashësi 4×1.2 cm dhe një copë dërrase të llamperisë në gjatësi prej 78 cm dhe trashësi prej 1.2×10 cm, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundi në pjesën e majtë të fytyrës duke i shkaktuar gjakderdhje në tru dhe si pasojë e këtij lëndimi me datën 26 dhjetor rreth orës 05:30 vdes viktima S.D.,”.

Policia ka konfirmuar se e dyshuara e kishte pranuar se ka kryer vrasjen.

Të ngjashme