Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarit për dhunë në familje, U.K.
Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit U.K, e ka bërë Prokuroria Themelore në Gjakovë, të martën.
Në aktvendimit e marrë nga gjykatësja Ilirjana Hoti, thuhet se janë plotësuar kushtet për caktimin e kësaj mase të sigurisë, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, dhe se me qëndrimin e të dyshuarit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale ose veprave penale të natyrës së njëjtë.
Sipas kërkesës për caktimin e masës së sigurisë, U.K po dyshohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 1 të KPRK-së.
Sipas prokurorisë, më 15 gusht 2020, rreth orës 16:00, në rrugën “Musa Zajmi” në Gjakovë, pikërisht në shtëpinë, duke e përdorur forcën i shkakton lëndime trupore bashkëshortes së tij A.B.
Tutje sipas prokurorisë, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kanë pasur në mes vete, i dyshuari fillimisht e godet të dëmtuarën dhe pastaj largohet nga shtëpia, mirëpo pasi që kthehet në shtëpi rreth orës 21:30 përsëri e godet të dëmtuarën me grushte në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime trupore sipas raportit mjekësor të lëshuar nga Spitali i Gjakovës.