(E plotësuar) – Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për kryeshefin Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili u arrestua dje nën dyshimet për korrupsion.
Lajmin e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas Prokurorisë Speciale, Krasniqi dyshohet se ka kryer tri vepra penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.
Përfundon seanca dëgjimore ndaj kryeshefit të KEK-ut, Prokuroria kërkon të mbahet në paraburgim
Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është përcjellë duarlidhur pas përfundimit të seancës dëgjimore, që ka zgjatur rreth tri orë, raporton Ekonomia Online.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë për paraburgimin e Krasniqit, i cili dyshohet për keqpërdorime në disa tenderë; njëri prej të cilëve në vlerë 3.4 milionë euro.
Në kërkesën për paraburgim, thuhet se Krasniqi mund të ndikojë te një numër i madh i dëshmitarëve që do të dëgjohen.
Sipas kërkesës për paraburgim Krasniqi dyshohet ndër të tjera për dy kontrata të dëmshme. Një me kompaninë “Litwin SA”, me çmim rreth 3.5 milionë euro, për kaldaja në bllokun A5, si dhe një për konsulencë ligjore me vlerë prej 60 mijë eurosh.
Për kontratën e parë thuhet se ishin ndryshuar kushtet e kontratës dhe ishte “urdhëruar shefi i prokurimit Ymer Dragusha të nënshkruante kontratën” anipse kishte pasur paraprakisht rekomandim nga komisioni vlerësuar i tenderit anulimin e aktivitetit të prokurimit me arsyetim se operatori “Litwin SA” nuk po u përmbahej kushteve.
“Duke mos u ekzekutuar kontrata Korporatës i ka shkaktuar dëme dhe pasoja të drejtpërdrejta e të pariparueshme financiare në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në kërkesë.
Vendimin pritet ta marrë gjykatësja e procedurës paraprake.
Avokati i Krasniqit, Taulant Ferizi, tha shkurt për gazetarët nuk ka vendim ende. “Nuk jemi të informuar që ka vendim, kaq mundem me u deklaru njëherë”.
I pyetur se cilët ishin fjalët e klientit të tij në gjykatë, avokati tha se ai ka kërkuar të mos i shqiptohet masa e paraburgimit. “Dihen fjalët e tij, ka kërku mos me iu shqiptu masa e caktimit të paraburgimit”, tha avokati duke refuzuar të flasë më shumë rreth kësaj çështje.
Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, u arrestua të mërkurën nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale, ’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ , dhe ‘’Konflikti i interesit’’.Krasniqi me vendim të prokurorit u dërgua në mbajtje për 48 orë, ndaj tij PSRK ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.
Njësia e Veçantë e Hetimeve ka bastisur zyrën e Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, “me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”, ka njoftuar prokuroria.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, ka njoftuar prokuroria.