“Një muaj” nga Kosova ka marrë trofeun e parë. Filmi më i mirë i Evropës Lindore është çmimi që ka marrë projekti filmik i regjisorit Zgjim Terziqi në edicionin e 41-të të festivalit “Grenzland-Filmtage”, që mbahet në qytetin Selb të Gjermanisë. Është pikërisht qyteti nikoqir që jep atë. “Një muaj” e ka ndarë çmimin me filmin rus “Big Booom” të Murat Narimanovit.
Është i pari që merr filmi, i cili tashmë ka siguruar pjesëmarrjen në së paku tre festivale kualifikues për çmimin prestigjioz “Oscar”. “Një muaj”, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, është po ashtu në garë për çmimet e festivalit “Brussels Short Film Festival”, që mban edicionin e 21-të prej 25 prillit deri më 6 maj.
Gjatë këtij muaji do të shfaqet edhe në “Atlanta Film Festival”, në programin “Narrative Short”.
Do të shfaqet edhe në “Busan International Short Film Festival” të Koresë së Jugut që kualifikon filma për çmimin prestigjioz, shkruan sot Koha Ditore.
Në filmin “Një muaj” luajnë aktorët: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumoviq, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri-Berisha, Lis Spahiu e të tjerë.