Futbollisti i Sevillas, Joris Gnagnon, ka kërkuar falje për ndërhyrjen e tij “neveritëse” në futbollistin e ri të Liverpoolit, Yasser Larouci, që çoi te përjashtimi i mbrojtësit gjatë miqësores para-sezonale të zhvilluar të dielën në Boston.
Gnagnon bëri ndërhyrje të ashpër në 18-vjeçarin Larouchi, i cili më pas u desh të largohej me barele nga fusha gjatë humbjes 2:1 të Liverpoolit nga Sevilla, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
“Dua t’i kërkoj falje publike Liverpoolit, familjes së lojtarit dhe përkrahësve të tij. Ishte një veprim i neveritshëm nga ana ime. Nuk është ajo që duhet të shihet në fushë futbolli. Gjithë lutjet e mia janë për lojtarin dhe familjen e tij”, ka shkruar Gnangnon në Twitter.
Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, po kujdesej për fjalët e tij në intervistë pas ndeshjes, por konfirmoi se Larouci ishte me fat që evitoi ndonjë lëndim serioz.
“Është shumë herët në stinor për të krijuar bujë duke thënë gjërat që mendoj për këtë situatë. Sigurisht, siç është gjithmonë me këto gjëra, ne duhet të presim pak. Ai e goditi plotësisht dhe në atë moment, po të ishte në një pozitë tjetër, do të shkaktonte dëme të mëdha. Por Larouci arriti të evitojë paksa me lëvizjet e tij goditjen dhe për fat të mirë nuk ndodhi ndonjë gjë e rëndë”, ka deklaruar Klopp.
Trajneri i Sevillas, Julen Lopetegui, po ashtu, foli me Kloppin pas ndeshjes për t’u interesuar për gjendjen e Laroucit dhe pranoi se Gnangnon është në dijeni se ka bërë gabim të madh.
“Unë jam shqetësuar për lojtarin, por e kam pyetur Jurgenin dhe ai tha se është në rregull. Gnagnon ishte shumë i shqetësuar. Ai e di se ka bërë një ndërhyrje të keqe, ka marrë një vendim të keq. Me rëndësi është që Larouci është ‘ok’“, ka thënë Lopetegui.