Një ndeshje futbolli shpërfaqi sy botës mjerimin tonë shtetëror

Prishtinë | 13 Nën 2023 | 18:19 | Nga Agron Halitaj

Para gjashtë vjetësh, desh u bëmë copë mes vete se ku duhet të ndërtohet stadiumi olimpik i Kosovës: në Bërrnicë (afër Prishtinës), apo në një terren afër aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”, por që hynte në zonën e Drenicës.

Të mbushej mendja që stadiumi do të ndërtohej gjithqysh, veç lokacioni kishte mbetur që të përcaktohej.

Gjashtë vjet pas, ra një ndeshje futbolli dhe e nxori sy botës mjerimin tonë shtetëror. Le që ende nuk e kemi një stadium olimpik, por edhe stadiumin më të mirë që e kemi, e kemi për faqe të zezë.

Ndeshja Kosovë-Izrael, e zhvilluar në një fushë të dominuar nga balta, mbase do duhej të shërbente si moment reflektimi për autoritetet e larta qeverisëse e lokale, për punët e shumta që i presin.

Pas gjashtë vjetësh, Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare, kështu që përgatitjet për rregullimin e infrastrukturës sportive e rrugore tashmë është dashur të kishin nisur. Viti 2030 vjen sahora.

Në periudha gjashtëvjeçare, e besa edhe më shkurtra, popujt kanë arritur të lënë gjurmë në histori.

Edhe ne e kemi shansin që në vend të akuzave të ndërsjella dhe luftës së brendshme për marrje meritash, t’i shtyjmë të tjerët të flasin për ne – për punët që i kemi kryer.

Llafet nuk na i merr parasysh askush. Fjalët e tepërta janë veç fukarallëk!

Të ngjashme